Pasi u ndala për disa orë në Poçem, lashë makinën në parkimin e madh të restorantit, që shërben njëzetë e katër orë, u nisa në këmbë përmes rrugës së re që të çon drejt Vlorës ende në ndërtim. Një rrugë dy kalimshe që gjarpëron mes kodrave e luginave të mahnitshme me burime të shumta uji dhe pyje të gjelbëruara. Lofatat me kurorat e petaleve rozë duken si të qëndisura nga yjet përmes degëve që shkëlqejnë si diej të vegjël. Pasi eca dy -tre kilometër, u ndala buzë rrugës tek një ngrehinë, në të cilën gatuhej mish në zgarë e saç dhe servirej salcë kosi me shije të veçantë. Pronari, një mesoburrë vraponte sa tek zjarri në tavolina, duke servirur ushqimet e përgatitura sipas porosive. Anash godinës një oaz mbushur me ujë, ndërtuar me beton me rreth pesëdhjetë metër kub uji si loti, i pijshëm ku rriteshin pestrova që lëviznin në ujin e ftohtë dhe të tejdukshëm. Pestrova kultivohej për t’u skuqur sipas dëshirës së klientit, duke e përzgjedhur vetë peshën dhe ngjyrën. Disa pestrova kishin ngjyre të verdhë dhe ndrisnin si të ishin lyer me ar. Këto, më tha pronari, i mbajmë për dekor. Ai me rrjetën lidhur në një shkop të gjatë mund të kapte peshkun që kërkoje. Pestrovën me ngjyrë të argjend e kultivonte thjesht për bukuri se janë vërtetë të rrallë. Edhe pse nga bregdeti nuk kisha parë pestrovë të tillë. Pasi provova pak mish të pjekur në saç i ulur vetëm në një tavolinë i rashë përqark mjedisit, ku kishin shpërthyer lulet dhe ishin simboli se pranvera kishte ardhur. Një numër i madh çezmash krijonin një amfiteatër uji që rridhte pa pushim duke u shkërmoqur në pikla të kristalta mbi gur. Pak më lartë gjendet stabilimenti “Fontana” për mbushjen e shisheve me ujë natyral po që tani nuk funksionon. Gjendesha në zemër të Mallakastrës, atje ku në një lëndinë të mbuluar nga plepat dhe rrepet, të cilët kohët e fundit kishin degraduar nga mosha e vjetër dhe shumica ishin prerë. Pikërisht në këtë lëndinë është mbledhur paria e Mallakastrës dhe kanë lidhur besën për t’u bashkuar në luftën për çlirim. Rruga e re, është arteria që ka zbuluar perla të panjohura sa kalon portën hyrëse në fshatin, Fratar deri sa del në Levan dhe futej në bypassin e Fierit, një nga segmentet rrugore më të kompletuara të vendit. Fshatra me emra epik të hershëm, po edhe të veçantë, që të futin në mendime si kanë lindur dhe sa të hershëm janë. Mbi kokë, si të ishte një piramidë majë malit gjendet Drizari. Në anën tjetër të luginës Klosi. Më tej Kutallia. Çdo fshat në Mallakastër ka historinë e vet. Në përfytyrimin e çdo shqiptari kjo krahinë njihet për dashurinë e thellë për punën. Edhe pse me toka pak, kurrë nuk i sheh të papunuara dhe të pa mbjella. Po ashtu shquhen për mikpritjen dhe ngrohtësinë që të japin kur të presin si mik në shtëpi. Patriotizmi mallakastriot është virtyti që mban në këmbë këtë zonë, e cila gjatë tërë historisë ka qenë në ballë të luftës për liri dhe pavarësi. Të mençur e trima, të pushkës e të penës, të luftës e të paqes, kanë shkruar historinë. Emra të mëdhenj që i kanë dhënë Mallakastrës lavdinë dhe krenarinë. Çdo fshat i dha luftës heronjtë e vet dhe brigadave partizane, luftëtarë të shquar. Historia këtu flet përmes dëshmive pafund, të cilat të bëjnë nostalgjik me ngjarje kulmore me rrezatim kombëtar. Një kombinim i shkëlqyer i patriotizmit me dijen dhe kulturën. Të këngës dhe librave. Mallakastra ka emërtimin e egër, po realisht është e butë si kadife, gati si e mëndafshtë me shumë ngjyra që ka gdhendur natyra. Kush nuk i ka njohur Këshilltarët e Hekalit përmes filmit me aktorët e shquar, si Kadri Rroshi, bir i kësaj treve dhe nuk është ndjerë krenar për atë që pasardhësit tanë kanë bërë në luftën për çlirim dhe tërë luftërat e tjera në emër të lirisë. Po bukuritë e natyrës dhe lavdia nuk janë të mjaftueshme për të thënë se këtu jetohet me lumturi dhe nuk ka probleme. Për të folur çfarë e gërryen mallakastriotin, mjafton edhe një bisedë disa orësh me njërin prej tyre, ardhur prej kohësh nga Smokthina e Vlorës dhe ngulur fillimisht në Drizar dhe gati një shekull këtu në Poçem. Ka qenë gjyshi i tij, i cili pas disa vitesh në emigracion në Amerikë, bleu toka nga bejlerët e Klosit. Ndërtoi shtëpi dhe u mor me bujqësi e blegtori. Guri Ahmetaj, ka ndërtuar një shtëpi dy katëshe pranë ish – mullirit të zonës, i cili është rrënuar tërësisht. Mulliri punonte me ujë nga një burim fare pranë. Guri, mullirin e ka dhimbje të thellë dhe është nostalgjik për kohën kur këtu mblidheshin nga tërë zona për të bluar misër e grurë. Mulliri ishte me tri mokrra të rënda guri që rrotulloheshin papushim nga forca e ujit të rrëmbyeshëm. Edhe pse fëmijë troshitja e gurëve më ngazëllente dhe mielli që dilte tek govata e drunjtë më dukej si mitik. Ky mulli u shkatërrua në 1990 ashtu siç u shkulën nga rrënjët mijëra pemë frutore. U dogjën pyje dhe iu vu kazma gjithçkaje të ndërtuar me mund për vite me rradhë. Pak më lartë kësaj lugine ishin depot e rezervave të shtetit. Në 1996 u shqyen dhe u vodhën mijëra kuintalë grurë dhe produkte ushqimore. Ishin dhjetëra depo mbushur dënga që mbaheshin si rezerva për kohë të vështira. Ishte pasuria jonë që u vodh poshtërsisht siç u vodhën benzina, nafta, benzoli i ruajtur në tunele po tek kjo luginë që të nxjerr në segmentin rrugor Fratar- Ballsh. Askush nuk mori përgjegjësi, asnjëri nuk u ndëshkua! Shteti mbylli sytë siç bëri për tërë pasurinë kombëtare. E keqja vazhdoi dhe vazhdon deri sot. Unë kam një shtëpi bosh. Fëmijët kanë ikur në vende të huaja. Nuk i përzuri dikush. Halli dhe mungesa e punës i nxitën. E përse ta dua këtë ngrehinë?!Është një kafaz bosh dhe unë jam një vetmitar që shtyj ditët me mendjen nga fëmijët e mi. Nuk jam i vetëm. Shumica këtu kështu si unë është. Me shumë fëmijë pa asnjë prej tyre pranë. Shiko, zotëri, m’u drejtua Guri:about:blank

-Përgjegjësi keni edhe ju që shkruani se nuk thoni realitetin. Kishte gjykimin e tij. Pasi hodhi vështrimin tek lëndina e Besëlidhjes së Mallakastrës ngjitur me ish -mullirin, tregoi se në këtë lëndinë dikur ziente vallja dhe kënga. Ishte e mbushur me mimoza. Vend më të bukur nuk gjeje askund. Shikoje tani, shkretëtirë. Mungon dora e njeriut. Janë harruar këto vende si shumë të tjera. Po të kujdeseshim nuk ka vend më të bukur për turizëm. Kjo rruga këtu është e domosdoshme. Po duhej të ishte mbaruar. Besoj se Edi Rama e ka lënë për zgjedhjet, se kështu punojnë këta. Me hile! Çdo kundërshtim imi e ngacmonte Gurin dhe vazhdonte të fliste për ato që i dhëmbin atij dhe që kërkojnë mjekim nga shteti. Nuk ishte kritik vetëm me qeverinë, të cilën e bën përgjegjëse për rendin, i ngarkon në shpinë mungesën e punës, kujdesin për qytetarët apo për moszgjidhjen e shqetësimeve si për certifikimin e pronave, vonesat, po edhe për opozitën. Ç’t’i them Berishës? Ai ka zënë dritaren dhe flet si hoxha maj minares. Ore nuk e kupton se i ka kaluar koha ? Dikur e kam mbështetur. Po sot ai duhet të japë llogari për dëmet që ka bërë dhe të qëndrojë në shtëpi për të bërë detyrat e gjyshit. Guri Ahmetaj nuk bën vetëm radiografinë e Mallakastrës dhe zonës ku jeton. Shqetësimet e tij prekin, siç e percepton ai, tërë Shqipërinë. Jo si analist apo opinionist. Po si një nga qytetarët e këtij vendi që mbart mbi supe të njëjtat halle si tërë bashkëkombësit e tij. Është i rreptë për ato që i cilëson si faje dhe mungesa të shtetit. Po edhe i ndershëm në gjykim. Le të më dënojnë mua dhe fëmijët e mi, thotë me zë të lartë, po kemi shkelur ligjin. Po kështu të bëjnë me tërë ata që nuk duan ta njohin shtetin dhe vrasin në mes të ditës si të qëllojnë mbi një shpend. Ligji, vëlla, ligji. Ky është shpëtimi ynë. Jo rrëmuja dhe deklaratat. Iku në drejtim të paditur thonë për atë që vret. Çdo të thotë kjo? Iku djali në Fier në mes të ditës në sy të qytetarëve. Pse, a nuk mban shteti përgjegjësi? Shtetit i kemi besuar jetën, të sotmen e të ardhmen. Unë për çdo gjë që ndodh tek ne tek shteti e drejtoj gishtin. Unë i bëj thirrje: shtet zgjohu! Na garanto jetën tonë dhe të fëmijëve tanë!Këto më tha Guri,mallakastrioti i revoltuar dhe i inatosur me shtetin.

SOT