Rrogozhina dhe Kukësi kanë një të përbashkët, në të dyja bashkitë do të përsëriten zgjedhjet lokale të 14 majit.
Mirëpo arsyeja pse ndryshon. Kodi Zgjedhor përcakton se kur zgjedhjet shpallen të pavlefshme në një qendër votimi që ndikon në rezultat, atëherë zgjedhjet përsëriten në të gjithë zonën vendore.
Ky është rasti i bashkisë së Rrogozhinës, ku shkak për vendimin e Kolegjit Zgjedhor u bë kutia e burgut e diferenca mes dy kandidatëve ishte vetëm 21 vota, teksa të burgosur numëroheshin më shumë se 100. Në këto kushte kur data e re e zgjedhjeve në Rrogozhinë duhet të caktohej brenda 4 javësh nga marrja e vendimit për përsëritje, KQZ-ja ka vendosur 23 korrikun për zhvillimin e procesit zgjedhor në Rrogozhinë me të njëjtën kandidatë, Edison Memollajn e PS dhe Shkëlqim Hoxhës të BF.
Ndërkohë, zgjedhjet në Bashkinë e Kukësit nuk do të kenë kandidatë të njëjtë, pasi ripërsëritja e tyre nuk ndodh për shkak të parregullsive të vërejtura gjatë procesit zgjedhor të 14 majit, por prej dorëheqjes së Safet Gjicit, prej skandalit intim dhe ku mbetet vakant posti i kryetarit e ku vetë atij nuk i jepet mundësia e rikandidimit.
Kushtetuta e përcakton qartë që ndryshe nga rasti i Rrogozhinës ku datën e vendoste KQZ-ja, në Kukës datën e zgjedhjeve në kushtet e dorëheqjes e përcakton presidenti. Si rrjedhojë, presidenti duhet të nxjerr dekretin e datës së re të zgjedhjeve për bashkinë kukës të detyruar nga Kodi zgjedhor që periudha të jetë në vjeshtë. Data më e afërt është 15 tetori, por Kodi përcakton që zgjedhjet për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen brenda periudhës nga 15 tetori deri në 15 nëntor, ndaj vendimi tashmë është në dorën e presidentit.
Top Channel