Policia e Kosovës ka mbyllur rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë dhe kërkoi nga qytetarët që të përdorin pikëkalime të tjera.

Policia tha se kjo është një masë paraprake e sigurisë, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë në veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës.

“Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave”, tha Policia e Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se kanë arrestuar më 10 dhjetor ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiq.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ish-polici serb ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Ai shtoi se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm ndaj rendit kushtetues.

Që nga 6 dhjetori janë shënuar disa incidente në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, në kohën kur autoritetet zgjedhore po vazhdonin punën e tyre për organizimin e zgjedhjeve lokale, që fillimisht ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor.

Por, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se zgjedhjet janë shtyrë për prillin e vitit të ardhshëm.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – në nëntor njoftoi për dorëheqjen e zyrtarëve serbë nga niveli komunal e qendror, përfshirë nga Policia e Kosovës, gjyqësori dhe institucionet e tjera të Kosovës në veri.

Këto dorëheqje erdhën në shenjë kundërshtimi me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rirregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale serbe.

Lista Serbe po ashtu kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve për udhëheqësit e komunës së Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit./REL/