Autori i sulmeve me hark në Norvegjinë jugperëndimore, i cili shkaktoi vdekjen e pesë personave dhe plagosjen e dy të tjerëve, është një danez, 37 vjeç, njoftoi policia sot.
Policia vendosi të publikojë këtë informacion “Për shkak të thashethemeve në faqet e rrjeteve sociale, që aludojnin për njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen e sulmit” .
Ky është sulmi më vdekjeprurës në Norvegji që nga korriku 2011, kur ekstremisti i djathtë, Anders Behring Breivik, vrau 77 persona në dy sulme në Oslo dhe ishullin e vogël Uteja. Shumica e viktimave ishin adoleshentë.
Sipas medieve norvegjeze, autori kishte njoftuar veprimin e tij, nëpërmjet një videoje të publikuar në YouTube disa ditë më parë.
Sipas dëshmitarëve okularë, autori kishte në shënjestër njerëzit për 30 minuta, deri në momentin që ndërhyri policia. Megjithatë, asnjë detaj tjetër për identitetin e burrit nuk u bë publik.
Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që sulmi i djeshëm të ishte një akt terrorist. Ata pritet të japin më shumë informacion gjatë ditës. Autori i krimit, i cili ende është duke u marrë në pyetje, “p bashkëpunon,dhe po jep një dëshmi të hollësishme ” , tha avokati Fredrik Neumann për rrjetin televiziv publik NRK.
Dy të plagosurit u dërguan në spital dhe u shtruan në njësitë e kujdesit intensiv (ICU), megjithatë, sipas shefit të policisë të Kongsberg, Evid Os, gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Një banore, e cila pa sulmin pjesërisht, i tha rrjetit televiziv norvegjez TV2 se kishte dëgjuar një ulërima dhe kishte parë një grua që përpiqej të mbulohej dhe një burrë në qoshe të rrugës me shigjeta dhe një hark në dorë.
“Pastaj pashë njerëz që vraponin për të shpëtuar jetët e tyre. Midis tyre ishte një grua që mbante një fëmijë në dorë”, tha ajo për rrjetin televiziv.
Oficerët gjithashtu po hetojnë nëse sulmuesi përdori armë të tjera gjatë incidentit, u tha gazetarëve shefi i policisë Kongsberg.
I dyshuari u zhvendos në një zonë të madhe dhe autoritetet rrethuan disa pjesë të qytetit. Banorët u urdhëruan të qëndrojnë brenda në mënyrë që autoritetet të mund të ekzaminojnë vendin e ngjarjes dhe të mbledhin prova./Ora News/