
Enklieda Carja ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme në Kampionatin Botëror të peshëngritjes për U-17 dhe U-20 që po mbahet në Lima të Perusë.
Shtangistja e talentuar shqiptare ka qenë protagoniste absolute, duke u shpallur kampione e trefishtë për U-17 falë një performance fenomenale, duke realizuar me sukses gjashtë provat në kategorinë e peshave 64 kg.
Kështu Carja mahniti që në fillim në stilin e shkëputjes, duke ngritur me radhë 94, 97 dhe 98 kg, për të merituar medaljen e parë të artë. Më pas shkëlqeu edhe në shtytje, teksa finalizoi me sukses provat me 110, 113 dhe 115 kg, duke shtuar medalje ari edhe në këtë stil.
Me 213 kg në total, sportistja kuqezi koleksionoi gjithashtu edhe medalje ari në dygarësh, duke e mbyllur si kampione e trefishtë e botës për U-17.
Jo vetëm kaq, por Carja vendosi edhe 3 rekorde të reja europiane për U-17 me rezultatet e saj, me 98 kg në shkëputje, me 115 kg në shtytje dhe 213 kg në dygarësh. Gjithashtu rezultati prej 98 kg në shkëputje përkthehet në medalje bronzi botërore për moshat U-20.
