Erion Murataj PSD

Gjatë vitit të shkuar, interesi i individëve për të punuar në administratën publike ishte më i lartë se në vitin 2023, duke regjistruar afro 18 aplikime për një vend pune.

“Administrata publike me përmirësimet e kohëve të fundit ka bërë goxha hapa para përsa i përket modeleve novatore që lidhen me motivimin e punonjësve dhe me nivelin e pagave, rritja e të cilave preku shumicën prej pozicioneve dhe profileve në DAP, duke e rritur interesin e njerëzve për të aksesuar një punë në të. Ka të bëjë edhe me modelet e fleksibilitetit për të punuarin në DAP dhe respektimin e kontratës në mënyrë rigoroze, duke respektuar të drejtat e punonjësve për leje vjetore, për pushime në festat zyrtare, për pushim në rast raporti, këto nuk i gjejnë dot në sektorin privat”, tha eksperti i tregut të punës, Erion Muça.

Të dhënat nga Departamenti i Administratës Publike tregojnë se nga afro 27 mijë aplikime të kryera në vitin 2024 për një vend pune, vetëm 54% e tyre janë kualifikuarn për fazën tjetër.

“Dëshira në raport me mundësitë apo plotësimin e kritereve standarde fikse për të kaluar në një fazë tjetër rekrutimi e shoh thjesht me elementë dhe komponentë teknikë, çfarë kërkon një pozicion pune dhe çfarë ofron një kandidat, lehtësia për të verifikuar një proces është shumë e thjesht. Ata që nuk plotësojnë kriteret teknike, në mënyrë automatike skualifikohen”, tha Muça.

Nga të dhënat vihet re se mosha mesatare e atyre që aplikuan për t’u punësuar në administratë ishte 34 vjeç, ndërsa ata në të 40-tat kërkuan ngritje në detyrë./vizionplus.tv