Pak javë më parë mori vëmendje të madhe nga Kuvendi Kombëtar i Forumit Rinor të Partisë Socialiste kur e quajti veten dhe të rinjtë e PS-së si petalet më të bukura të trëndafilit socialist.

Por tani, Dasho Veizaj duhet të përballet me prokurorët e SPAK-ut teksa është kallëzur në Prokurorinë e Posaccme me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Ai deklaroi publikisht se ka lindur dhe është rritur në Lushnjë, ndërkohë që sikurse provohet nga lista e zgjedhësve, por edhe një foto e publikuar në rrjetet sociale, rezulton se ka votuar në zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Himarës vitin e kaluar.

Ish-kandidati i opozitës në këto zgjedhje, Petro Gjikuria, i ka kërkuar SPAK-ut që krahas kallëzimit që ka bërë për lëvizjen e votuesve në favor të rivalit të tij, Vangjel Tavo, të hetohet edhe ky rast.

Sa kohë që shtetasi Dasho Veizaj, publikisht deklaron se ka lindur dhe është rritur në Lushnjë, ka dyshime të arsyeshme se transferimi prej tij i gjendjes civile në bashkinë Himarë është kryer në shkelje të ligjit nr. 10129/2009 duke përdorur dokumentacion të falsifikuar për të provuar vendbanimin apo qëndrimin e tij në Bashkinë Himarë, me qëllim mbështetjen e një subjekti të caktuar zgjedhor, konkretisht kandidatit të Partisë Socialiste, “petal” i së cilës është edhe ai”, shkruan ndër të tjera Gjikuria.

Dokument i plotë