Një 31 vjeçar është arrestuar në Malësi të Madhe pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal për trafikun e drogës. Mësohet se i riu, i cili ishte pjesë e grupit kriminal për një periudhë 7 vjeçare, akuzohet se ka trafikuar drejt Italisë 3.4 tonë kanabis dhe 35 kg kokainë.

Gjykata e Milanos i ka caktuar 31-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në kuadër të grupit kriminal, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë. Për këtë arsye, Interpol Tirana vijon punën me homologët në Romë për ekstradimin e këtij shtetasi.

Nga hetimet, ka rezultuar se grupi kriminal në të cilin ishte pjesëtar 31 vjeçari ka trafikuar në shtetin fqinj, rreth 3.4 tonë cannabis sativa dhe 35 kg kokainë gjatë periudhës 2015-2022. Gjithashtu, këtij grupi i janë sekuestruar 195 953 euro dhe 1430 franga të përfituara nga kjo veprimtari kriminale./abcnews.al