Policia ka arrestuar autorin që plagosi kamarierin 15-vjeçar në picerinë në lagjen “Ali Demi”, Tiranë.

Shërbimet e Komisariatit nr.1 kanë arrestuar 21-vjeçarin Aldo Neziri. 21-vjeçari akuzohet nga policia për plagosje e rëndë me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, i mituri që mbeti i plagosur vijon të marrë trajtim mjekësor në spitalin e Traumës, edhe pse ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Plagosi me armë atipike, për motive të dobëta 15-vjeçarin në një piceri te “Ali Demi” si rezultat i kontrolleve të pandërprera, bazuar edhe në inteligjencën policore, kapet dhe vihet në pranga nga Policia.

Dje u arrestuan edhe 3 punonjës të picerisë, pasi dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri. Vijon puna për kapjen e administratorit të picerisë. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, si rezultat i kontrolleve të pandërprera, bazuar në inteligjencën policore, kapën dhe ndaluan shtetasin A. N., 21 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i tij u bë pasi, më datë 01.06.2025, në një piceri te “Ali Demi”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, plagosi me armë atipike një 15-vjeçar.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, në ngarkim të 21-vjeçarit”, njofton policia.

Po ashtu në lidhje me ngjarjen janë arrestuar dhe tre punonjës të picerisë, Ferit Basha, Andi Hyka dhe Keivin Bala për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” pasi dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë fshehur pamjet filmike të kamerave të sigurisë në ambjentet e picerisë.