Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 56-vjeçarin Shpëtim Osma, i akuzuar për plagosjen me armë zjarri të fqinjëve të tij, çiftit Sami dhe Nadire Disha, ngjarje e ndodhur në fshatin Gos të Rrogozhinës, ditën e Kurban Bajramit.

Në seancën gjyqësore për vleftësimim dhe caktimin e masës së sigurisë, Osma nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese për aktin që kreu.

Para gjyqtares Besjana Garxenaj, ai ka pretenduar se u ndje i ofenduar dhe i sulmuar fizikisht nga bashkëshortët Disha, me të cilët ishte përfshirë më parë në një konflikt verbal për shkak të erës dhe zhurmës që shkaktonin bagëtitë e vendosura nga çifti në oborrin e shtëpisë përballë banesës së tij, që është e pabanuar dhe ndaj shfrytëzohej nga çifti Disha për të mbajtur bagëtitë, larg nga shtëpia e tyre, që ndodhet në të njëjtën rrugicë.

Shtëpia ku ndodhet dhe kasollja e bagëtive është në pronësi Bujarit, vëllait të Sami Dishës, i cili jeton në Greqi.

Pas dëgjimit të palëve, gjykata vendosi të lërë në fuqi masën shtrënguese të arrestit me burg për të dyshuarin, duke e konsideruar atë një rrezik potencial për shoqërinë dhe hetimet.