Mbi 50 efektivë nga Tirana, Vlora e Saranda po zhvillojnë një aksion blic në qytetin bregdetar për kapjen e 43-vjeçarit të shumëkërkuar, Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj.
Canaj është autori i plagosjes së dyfishtë me armë zjarri disa ditë më parë në Sarandë në një rrugë kryesore të lagjes nr.4.
Të plagosur mbetën Gëzim Hajdaraj 33 vjeç dhe Ernest Lama 25 vjeç, të dy nga Kamza.
Kontrollet e forcave operacionale, FNSH dhe “Shqiponja” kanë zhvilluar ditën e djeshme në fshatin Gjashtë dhe sot në orët e para në disa banesa në rrugën “Butrinti” në Sarandë, por pa sukses.
Ndërsa mësohet se është arrestuar bashkëpunëtori i autorit të krimit, Artan Murataj.
“Në vijim të veprimeve lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 17.07.2025, në lagjen nr. 3, Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria, datë 19.07.2025, për shtetasin A. M., 43 vjeç, banues në Sarandë, i shpallur në kërkim si i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, – njofton policia.
Ramadan Zoto i njohur si “Dane”, plagosi me pistoletë Gëzim Hajdaraj 33 vjeç dhe Ernest Lama 25 vjeç, të dy nga Kamza, pas një konflikti të mbartur.
Edhe Hajdaraj ishte gjithashtu i armatosur por nuk arriti të kundërpërgjigjej. Dy të plagosurit u transportuan në gjendje të rëndë me helikopter drejt Tiranës.