Policia është vënë në ndjekje të Albert Ostrenit, 49-vjeçari, i cili plagosi me armë zjarri mbrëmjen e djeshme fqinjin e tij në Tiranë.

Sipas forcave blu, pas kontrollit në banesën e tij është gjetur lëndë narkotike e dyshuar si kokainë, dy shifra metalike si ato të policisë.

Po ashtu, bëhet e ditur se është arrestuar dhe një 45-vjeçar pasi konsiderohet si përkrahës i autorit.

NJOFTIMI I POLICISË:

Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, sipas të cilit rreth orës 21:50, në rrugën “Tasim Shehu”, si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi A. O., 49 vjeç, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri, fqinjin e tij, shtetasin R. M., 23 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, ju bëjmë me dije se: Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, si dhe shpallën në kërkim shtetasin A. O. (P)., 49 vjeç. Si rezultat i kontrollit në banesën e të kërkuarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 2 shufra metalike, si ato të Policisë. Vijon puna për kapjen e shtetasit A. O.(P). Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast u arrestua shtetasi D. O., 45 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.