Policia e shtetit ka dalë me një njoftim lidhur me plagosjen e ndodhur këtë pasdite në zonën e Bathores në Tiranë.
Një 46-vjeçar, Agim Hida, u qëllua me armë zjarri nga dy persona që lëviznin me motor. Ai u plagos në këmbë dhe më pas u dërgua në spital ku është nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë shërbimet e policisë kanë ngritur pika kontrolli në pika të ndryshme të zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve. Sakaq, në vendngjarje është edhe një grup hetimor nga Prokuroria që po vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Kamëz/Informacion paraprak
Më datë 02.11.2023, rreth orës 19:15, në afërsi të kryqëzimit të Bathores, në rrethana ende të paqarta, dy persona ende të paidentifikuar të cilët lëviznin me një motomjet, kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin A. H., 46 vjeç.
Si pasojë 46-vjeçari është plagosur në këmbë dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.