Efektivi i policisë Erjon Goxhara ndodhet prej dy ditësh në arrati, që pasi plagosi me armë zjarri disa herë 45-vjeçarin Lorenc Kosta.
Burime për mediat bëjnë me dije se policia pas kërkimeve në zonën e Dajtit, i ka shtrirë kërkimet edhe në zona të tjera, përfshirë edhe banesa të të afërmve të policit.
Konkrektisht kërkimet janë shtrirë edhe jashtë Tirane dhe në Memaliaj, vendlindja e tij. Po ashtu vijojnë në mënyrë intensive negociatat me familjarët e efektivit që ta bindin që të vetëdorëzohet.
Efektivi Erjon Goxhara, pasi ka qëlluar para dy ditësh, disa herë në drejtim të drejtorit të ERE-së Lorenc Kostës, i cili mbeti i plagosur rëndë në vendngjarje, e ka filmuar aktin e krimit me telefonin e tij.
Më pas, efektivi ngjarjen e fimuar ia ka dërguar kunatit të tij, vëllait të bashkëshortes për të cilën pretendohet se ishte edhe “molla e sherrit” midis Goxhares dhe Kostës.
Pas kësaj, efektivi është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka marrë djalin e tij në telefon, i cili e ka pritur me taksi në rrethrrotullimin e Shkozës dhe pas kësaj ato janë larguar në drejtim të zonës së Freskut.
Sipas informacioneve, efektivi është diktuar në këtë vend nga kolegë të tij, por ka mundur që t’ju shpëtojë duke u arratisur në mënyrë të menjëhershme.
Megjithatë, drejtues të lartë të policisë, kanë komunikuar me efektivin e arratisur dhe i kanë kërkuar që të dorëzohet, por ai nuk ka pranuar duke thënë që më mirë do të vriste veten se sa të dorëzohej dhe të kalbej në burg.
Policia e ka shpallur në kërkim, ndërsa është vënë në dizpozicion edhe një dëmshpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo që ka informacion që do të ndihmonte në kapjen e Erjon Goxhares.
Gjithashtu, në vijim të hetimeve rezulton se polici Erjon Goxhara në muajin korrik ka telefonuar inxhinierin Lorenc Kosta duke e kërcënuar me jetë për motive xhelozie.
Shkak për konfliktin midis tyre pretendohet se kanë qenë motive xhelozie, pasi bashkëshortja e efektivit punonte në një institucion me të Kostën dhe punonjësi i policisë së kufirit, Erjon Goxhara kishte dyshime se këta të fundit kishin krijuar një lidhje me njëri-tjetrin.
Efektivi Erjon Goxhara, ish-punonjës tashmë në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Tiranë, akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shperthyese dhe o municionit”.