Detaje të reja janë publikuar nga plani për eliminimin fizik të kryeministrit të Kosovës, në vitin 2021. Ishte Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë që zbuloi të dhënat e një përpjekje të fshehtë për të vrarë Albin Kurtin. Sipas të dhënave personi që do të kryente qitjen ishte nga Shqipëria dhe përveç Kurtit në shënjestër ishin edhe dy të tjerë.

Në dokumentet që disponohen theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.

Shqiptari i dyshuar sipas Njësisë Kundër Terrorizmit në Kosovë, është identifikuar si Prek Kodra. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve, ndërsa shkruhet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.

Në dokument, theksohet nga pala shqiptare se Prek Kodra është me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezulluar urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.

Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës.

/abcnews.al/