Për të gjithë ju që po bënit plane që këtë fundjavë të shkonit në plazh, kemi një lajm të mirë pasi temperaturat e ajrit do të jenë mjaft të larta.
Në një lidhje direkte për Klan News, meteorologu Hakil Osmani nga “MeteoAlb” bëri të ditur se pritet që gjatë fundjavës temperaturat në Ultësirën Perëndimore të shkojnë deri në 28 gradë Celsisus.
E shtuna dhe e diela nuk do të sjellin reshje shiu, duke bërë që të kemi një fundjavë nën rezet e diellit dhe me vranësira të pakta.
Hakil Osmanil: Dita e sotme jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë territorin shqiptar ka nisur me mbizotërimin e kthjellimeve, kalime të pakta të vranësirave, të fokusuara kryesisht në zonat e thella malore. Pritet që edhe orët e mesditës të mbeten nën mbizotërimin e kthjellimeve. Në zonat bregdetare do të kemi orë me diell dhe gjatë mbrëmjes. Ndërsa në Ultësirën dhe në qytetet e zonës së ulët dhe në zonat malore do të kemi shpeshtim të vranësirave, por nuk priten reshje.
Gjatë fundjavës parashikohet të kemi disi vranësira disi më të dukshme. Dita e shtunë në pjesën e parë do të jetë në dominimin e kthjellimeve në zonat bregdetare, herë pas here do të ketë kalime të pakta vranësirash, më të dukshme këto vranësira do të jenë në pjesën e dytë të ditës. Edhe gjatë ditës së dielë, do të kemi kalime kthjellimesh dhe vranësirash, të cilat më të dukshme do të jenë në zonat malore në verilindje dhe në lindje të territorit shqiptar.
Ajo që do të ndryshojë gjatë kësaj fundjave janë temperaturat e ajrit që do të jenë mjaft të larta. Mëngjesi i sotëm ka regjistruar vlera 2 gradë Celsius në qytetet e zonave malore, ndërsa maksimumet në Ultësirën Perëndimore do të ngjiten rreth vlerave 25 gradë Celsius. Parashikohet që fundjava të sjellë të paktën një rritje me 2-3 gradë Celsius të temperaturave të ajrit, duke bërë që minimumet në zonat malore të regjistrojnë 5 gradë Celsisus, ndërsa maksimumet pranë vlerave deri në 28 gradë Celsius në Ultësirën Perëndimore./tvklan.al