Dhunimi i mjekes në spitalin infektiv në Tiranë javën e kaluar, ka penguar kujdesin për pacientin që humbi jetën. Bluzat e bardha kanë qenë duke i bërë masazh kardiak në momentin që dy personat e afërm Igli Spahija dhe Bledar Bali hynë në dhomë dhe u konfrontuan me mjekët. Policët e mbërritur në vendngjarje kanë dëshmuar se i kanë parë mjekët që po largoheshin të trembur pas dhunës dhe kërcënimeve ndaj tyre.

Konflikti mes familjarëve dhe mjekes së spitalit infektiv është bërë shkak për lënien në harresë të pacientit që humbi jetën javën e kaluar, si pasojë e atakut kardiak. Mjekja Esi Duka ra pre e dhunës nga Igli Spahija dhe Bledar Bali brenda ambjeteve të QSUT-së.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga Ora News Esi Duka ka njoftuar Igli Spahinë mbi gjendjen e të vëllait i cili ishte i shtruar në infektiv. Sapo ka mësuar se i afërmi i tij nuk ishte mirë, Spahia ka nisur ta kërcënojë mjeken në telefon me fjalët “do të vras, do të shkëly, do të këpus qafën”.Mjekja e ka mbyllur telefonin dhe ka vijuar punën por pas pak, te salla e mjekimit kanë shkuar Igli Spahija dhe Bledar Bali.

Ata kanë thyer dyert, kanë përplasur sende, i janë afruar doktoreshës Esi Duka, të cilën Igli e ka qëlluar me grusht dhe e ka përplasur në mur, e ndrësa Bledar Bali ka tentuar ta godasë. Mjekja është larguar duke njoftuar më pas policinë.

Situata e tensionuar ka vijuar edhe pas mbërritjes së policisë. Kur efektivët kanë shkuar në katin e tretë, në drejtim të tyre kanë ardhur dy persona duke i shtyrë, fyer dhe kërcënuar.

Sipas deklarimeve të Bledar Balit gjatë kohës që ata janë futur në dhomë kanë parë dy mjekët që po i bënin masazh kardiak pacientit që ishte pa shenja jete. Të tronditur ata janë afruar dhe orvatur të ndihmojnë pacientin, por i ka kapur ankthi dhe paniku dhe janë larguar.

Igli Spahia ka thënë në dëshminë e tij se ka shkuar tek infektivi dhe ka kërkuar mjeken. Në dhomën e vëllait ka parë dy mjekë që po i bënin Afrimit mesazh kardiak, ndërkohë që ai dukej pa shenja jete.

Ai pretendon që ka qenë në gjendje të rënduar dhe se trajtimi i pacientit nga mjekët nuk ka qenë korrekt, pasi e kanë neglizhuar duke i shkaktuar vdekjen