Fakt është që votat e qarqeve Tiranë, Fier dhe Durrës do të rivlerësohen dhe rinumërohen dhe procesi që nis këtë javë që hyn ndoshta përfundon në ditët e para të korrikut. Pas kësaj varësisht nga ajo që do të dalë nga ky proces, do të përcaktohet edhe fati i komisionerëve apo administruesve partiakë…
Komisionerët e 11 majit mund të kthehen në subjekte të SPAK. Pothuajse çdo ditë, PD dhe më konkretisht kreu i saj, Sali Berisha, po publikojnë pamje mbi atë se çfarë ka ndodhur në komisione të caktuara të qendrave të votimit, ku pavarësisht nëse janë ose jo raste të izoluara dhe a kanë ndikim ose jo në rezultatin përfundimtar, tregojnë se ka pasur një dakordësi absolute mes çdo të emëruari nga partitë, për të shkelur ligjin.
Në anën tjetër rinumërimi i votave në të paktën 3 qarqe, Tiranë, Fier dhe Durrës, ku dyshohet se ka pasur ‘trafik’ votash nga një subjekt te një tjetër apo nga një kandidat te një tjetër brenda të njëjtës forcë politike, mund të ngarkojë me përgjegjësi penale grupet partiake të numërimit.
Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Grupet e Numërimit, bazuar në Kodin Zgjedhor, përbëhen nga komisionerët që propozohen nga partitë e mazhorancës dhe opozitës, në proporcion të drejtë. Kjo do të thotë se çdo parregullsi që mund të bëhet është konsensuale, aq më tepër kur procesi nuk është kontestuar nga ata që e kanë menazhuar nga qendrat e votimit te Komisionet Zonale dhe në fund te numërimi.
Për tu ndalur te hallka e fundit e procesit zgjedhor, Grupet e Numërimit kanë pasur nga 4 anëtarë, dy nga opozita dhe dy nga pozita, çka ngre dyshime se çdo manipulim në këtë fazë, në rastin më të mirë është kryer me ‘konsensus shoqëror’. Ajo që mund të kenë bërë numëruesit është që të kenë “futur” duart drejt partive të vogla, ose votat e një kandidati brenda subjektit t´ia kenë llogaritur tjetrit në të njëjtin subjekt. Ende nuk dihet nëse
Po kush po i bën kurban komisionerët, ata që zakonisht konsiderohen si më të devotshmit për një parti politike, duke marrë përsipër një nga hallkat e procesit të zgjedhjeve, në emër të besnikërisë partiake?
Kutitë e zgjedhjeve do hapen, votat do të rivlerësohen dhe rinumërohen nga numërues që do të caktohen nga Ilirjan Celibashi, të cilët duket se do të kenë rolin e ‘kontrollorit’ të punës së bërë më parë nga ata që i kishin caktuar partitë. Sali Berisha, kreu i PD-së, thotë se procesi i hapjes së kutive po bëhet për transparencën e procesit. Edi Rama nga PS e ka mbyllur kapitullin me 11 majin duke mos folur më për zgjedhjet, ose çdo koment që mund të bëjë, e kalon si batutën e rradhës.
Dyshimet janë se në 11 maj, në fazën e numërimit, pra atë përfundimtare, ka pasur trafik votash nga një kandidat i listës së hapur te një tjetër, apo edhe trafik votash nga një subjekt te një tjetër, edhe pse kjo e fundit mund të ketë ndikim në 1 apo 2 mandate maksimumi. Në kushtet kur votat kalojnë në 4 palë duar të bën të mendosh se nëse ka pasur ‘trafik’ gjithçka është bërë me konsensus.
Pretendimet janë hedhur nga kandidatët e listës së hapur që nxituan të kërkojnë hapjen e kutive me dyshimin se votat e tyre i janë dhënë kandidatëve të tjerë, të orientuara ose jo. Më pas dyshimet u hodhën nga kandidatë të listës së mbyllur, në këtë rast nga rradhët e PD-së dhe aleatëve të saj, që pretendojnë se votat për subjektin ‘PD-ASHM’ janë llogaritur si vota të PS-së.
Por gjithashtu ka dyshime se votat e partive të vogla, që nuk kanë numërues, janë ndarë nga partitë e mëdha, duke favorizuar këto të fundit.
Në të gjithë këtë proces verifikimesh, rivlerësimesh dhe rinumërimesh, Edi Rama dhe të tijët kanë qëndruar larg, duke qenë të ‘kënaqur’ me 83 mandatet që kanë marrë në 11 maj, pavarësisht se individë të listës së hapur në rradhët e PS-së kanë dyshime se kolegët e tyre që kanë marrë mandat i kanë ‘vjedhur’ votat.
Por Rama ndërhyri shpejt, madje pa kursyer presionet duke ndalur te të vetët çdo pretendim apo dyshim, qoftë edhe në fazën e verifikimit të pamjeve filmike.
Pothuajse në të njëjtën gjatësi vale ishte edhe Sali Berisha, i cili u përball që në ditët e para me dyshimet e të paktën dy kandidatëve të listës së hapur, Aulon Kalasë në Durrës dhe Ilir Alimehmetit në Tiranë që kërkuan pamjet filmike dhe më pas verifikimet e votave. Por bazuar në Kodin Zgjedhor, një kandidati nuk i jepet mundësia të kërkojë rinumërimin e votave nëse nuk mbështetet nga partia që e kandidon, gjë që asnjë kërkesë e depozituar nuk u firmos dhe vulos nga PD. Kalaja arriti të marrë mbështetje nga një prej partive që ishte pjesë e koalicionit të drejtuar nga demokratët.
Por si një rrufe në qiell të hapur dy nga anëtarët e KAS-it vunë vetot për hapjen e kutive, të paktën për Fierin dhe Tiranën, dy qarqet më të mëdha. Qëndrimi i tyre për hapjen e kutive vinte në një kohë kur nga PD u ngrit pretendimi se 130 mijë vota që nuk ishin përdorur kanë “avulluar”. Të dy anëtarët e KAS-it, Ledio Braho dhe Elvis Çefa, janë propozuar nga PD si anëtarë të KAS dhe nuk dihet nëse kërkesa e tyre për hapjen e kutive ka të bëjë me një qëndrim të dirigjuar nga PD apo është një vendimmarrje e tyre personale.
Fakt është që votat e qarqeve Tiranë, Fier dhe Durrës do të rivlerësohen dhe rinumërohen dhe procesi që nis këtë javë që hyn ndoshta përfundon në ditët e para të korrikut. Pas kësaj varësisht nga ajo që do të dalë nga ky proces, do të përcaktohet edhe fati i komisionerëve apo administruesve partiakë. Ata mund të përballen me ligjin nëse rezulton se ka deformime në proces, pavarësisht se mund të mos ketë ndryshime në rezultat sa i takon ndarjes së mandateve, apo renditjes së kandidatëve në listën e hapur.
Deri atëherë, komisionerët e emëruar nga Rama e Berisha do të duhet të presin me ‘dorë në zemër’ nëse do të kthehen ose jo në subjekte të SPAK-ut të Altin Dumanit.
Dhe ndoshta këtu mbyllet edhe saga e një procesi, të organizuar me një ligj të miratuar me konsensusin e Ramës dhe Berishës dhe administruar nga të emëruarit e tyre. /Pamfleti/