Zjarrvënia me qëllim për të pastruar tokën apo për të hapur kullotë ishte sërish gjatë kësaj vere një nga shqetësimet më të mëdha. Jo vetëm për autoritetet, por edhe për banorët të cilët rrezikuan pasuritë dhe në rastin me ekstrem fatkeq në Gjirokastër një çift humbi jetën.
Gjykata e kryeqytetit dënoi zjarrvënësin e parë duke i dhënë atij burgim me kushtin që në çdo rast të jetë i kujdesshëm edhe me zjarrin, ndërkohë që si rrethana kundër tij u përdor jo vetëm pohimi i tij por edhe llogaritë e dëmeve në mjedis dhe në ekonomi.
Në dosjen që uu tregua Gazetasi.al i moshuari me inicialet L.P në zonën e Kasharit shkrumboi nga pakujdesia një kodër me ullinj, fiq, shegë dhe shkurre.
Policia që numëroi dëmet shkroi gjatë kqyrjes së vendngjarjes: “Si rezultat i zjarrit janë djegur 56 rrënjë ullinj dhe 16 rrënjë fiq, në pronësi të familjeve të tre kushërinjve të tij”. Ky detaj më pas përdoret për llogaritë financiare të dëmeve që sipas detajeve që shton prokuroria në gjykatë, dëmi është mbi 1 milionë lekë dhe ndaj zjarrvënësi duhet të shpallet fajtor.
“Nga të dhënat operative, u vërtetua se autori i kësaj ngjarje është shtetasi L.P. I cili pranon se është autori i kësaj ngjarje “ tha prokurori në gjykatë , sipas të cilit me alarmin e zjarrvënies në këtë rast janë cenuar marrëdhëniet juridiko-civile.
I moshuari rrëfeu para gjykatës se e nisi ditën duke djegur disa barishte në tokën e tij , që e kishte të mbjellë me ullinj.
“Pasi i ka djegur, duke menduar se zjarri ishte shuar, është larguar dhe ka shkuar ne banesën e fqinjit të tij për të marrë një kazan rakie” tha prokurori i çështjes në gjykatë .
Gjatë kësaj kohe, i moshuari ka parë se si zjarri ka shpërthyer dhe ka avancuar fillimisht duke i gllabëruar shtëpinë e tij.
“L. është nisur menjëherë dhe kur është afruar te banesa e tij, ka vënë re se në vendin ku ai kishte djegur barërat, zjarri kishte përparuar, duke u shpërndarë në sipërfaqen e kodrës. Aty kanë qenë edhe banorë të tjerë, të cilët po mundoheshin të fiknin zjarrin, është bashkuar me ta dhe ka punuar për fikjen e tij” pohon prokurori që i referohet dëshmive të banorëve që u bënë bashkë për të vënë në administrim vatrat e zjarrit.
“Nga akt ekspertimi vlerësues, bërë me eksperte të fushës, ka rezultuar një vlerë dëmi prej 1520000 (një milion e pesëqind e njëzet mijë) lekësh”, përmendet më tej në fashikullin ndaj të moshuarit për të cilin akuza pranoi në gjykatë se ai e dëmtoi mjedisin me zjarr në formën e neglizhencës dhe të pakujdesisë.
“Zjarri që ka sjellë si pasojë shkatërrimin e pemëve (ullinj, pisha, shege e të tjera), ka ardhur si pasojë e veprimeve të të akuzuarit që ndezi zjarr për të djegur barishtet” shkruan në vendimin e fajësisë gjykata e Tiranës .
Por në dënimin me një vit kusht ndaj tij, gjykata vlerëson se duhet marrë parasysh se ky krim u krye nga neglizhenca dhe nga llogaritja jo e mirë e kohës.
“ I akuzuari është penduar, por ai është madhor dhe duhet të mbajë përgjegjësi” deklaroi prokurori dhe kjo kërkesë u pranua duke e dënuar atë me kushtin që të ketë kujdes dhe të mos kryejë asnjë shkelje. Madje këtë periudhë gjykata e vlerëson si kohë e mirë që do shërbejë për riedukimin e të moshuarit
“Për shkak të rrezikshmërisë së pakët të personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës apo nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes se veprës penale si dhe sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata kur jep dënimin me burg deri në pesë vjet mund të urdhërojë që i dënuari të mbaje kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë duke pezulluar ekzekutimin e dënimit me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryeje vepër tjetër penale. Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në prove e autorit të veprës penale përfshihet në kategorinë e alternativave të dënimit me burgim dhe synon të zgjeroje mundësitë e edukimit dhe rehabilitimit në shoqëri të personit që ka kryer veprën penale në forma të ndryshme nga ajo e kufizimit të lirisë së tij personale.”
Në rastin konkret, gjykata çmon se riedukimi i tij mund të realizohet pa qenë e nevojshme që ai të izolohet nga shoqëria” shkruhet në vendim.
(E.F/Faxweb.al)