Një 61 vjeçar thotë se është rrahur me një adoleshent i cili për shkak të pemëve dhe hijes që bëjnë ato, qëndronte poshtë një pallati bashkë me shoqërinë.
I riu me inicialet A. P nuk frenohej me tregimin e barsaletave me pullë të kuqe dhe përdorimin e fjalorit banal.
Policia tregon për Gazetasi se shtetasi Y.K. që jeton në Tiranë denoncoi incidentin duke justifikuar rrahjen e adoleshentit, i cili po ashtu pretendohet se e ka shtyrë dhe e ka goditur me një send të fortë. Burri tha pranë komisariatit numër 2 se po kthehej në banesë kur vërejti poshtë ballkonit se djali po qëndronte vetëm.
“Ai qëndron shpesh poshtë ballkonit, e ka bërë këtë edhe herë të tjera. Pasi e kam parë aty i kam thënë, ju lutem mos rrini poshtë ballkonit se na keni bërë të shesim shtëpinë me fjalorin banal që keni”.
Burri i tha policisë se në ato çaste kishte dalë nga banesa për të blerë ujë ndaj dhe duart i kishte të zëna me dy bidona. “I thashë këtij personi të ikte se na kishin shqetësuar shumë me atë fjalor dhe ato sharje që përdorin me njëri tjetrin, por ky person mu afrua dhe më tha; ‘do hash ndonjë tullë në kokë”.
Duke shkëmbyer fjalë me njëri tjetrin, burri kujton se i kërkoi djalit ta merrte tullën dhe ta qëllonte. “Në këtë çast ula bidonat përtokë dhe e kapa nga supi në formën e një të rrituri që flet me një të vogël. Për ti thënë që ti je i vogël dhe nuk je bërë ti të më qëllosh mua me tullë”
Y.K detajon në polici se mbas këtij sqarimi, ka marrë bidonat dhe ka kthyer kurrizin nga adoleshenti
“Ky djalë më qëlloi në veshin e majtë me një send të fortë. Jam rrëzuar dhe mbasi u ngrita përsëri kur pashë se kisha dëmtuar bërrylin i bërtita; Hajde këtu përse më godite?”
Sherri mes të dyve ka vazhduar me konfrontim fizik
“Mbasi përfundoi e gjitha kjo gjë, shkova takova të atin e djalit të cilin nuk e njihja më parë. I tregova çfarë më ndodhi. Por gjatë bisedës ai u soll më keq se I biri, duke më thënë çfarë halli ke me djalin tim. Ai më ofendoi dhe më goditi pastaj më kërcënoi duke më thënë se nëse do i afrohesha djalit do vepronte akoma më keq dhe se djali i tij ishte i lirë të fliste si të donte dhe ku të donte”.
Sherri që nisi për fjalorin nga një adoleshent mbasi ka përfunduar në polici e ka detyruar oficerin e policisë të thërrasë adoleshentin A. P dhe më pas të atin
“Nuk është e vërtetë që e kam goditur kallëzuesin” insistoi në polici adoleshenti.
“Po rrija dhe po prisja një shok, kur vjen një burrë në moshë duke folur me zë të lartë. Më kujtoi se më kishte urdhëruar shumë herë të mos qëndroja poshtë ballkonit pasi sipas tij ne përdornim fjalor të ndyrë, pastaj më kapi për bluze, por unë e shtyva”, këmbënguli i riu.
Versioni i tij mbështetet nga i ati, që mbyll dëshminë duke folur me superlative për adoleshentin. “Djalë është dhe ndonjëherë të gjithë shajmë. Por nuk është i edukuar keq dhe nuk ka mundësi ta ketë qëlluar. As unë nuk e qëllova, përveçse i thashë të gjithë shajmë se jemi meshkuj”, tha i denoncuari
Policia tha se mbasi e kanë orientuar kallzuesin që të shkojë pranë mjekësisë ligjore për të kryer ekspertimin mjeko ligjor në lidhje me dëmtimet që ka marrë , po përgatit dosjen që ta delegojë për veprime të mëtejshme në prokurori për veprën “ dëmtime me dashje”
Sherret për qëndrimin poshtë ballkonit u raportuan pak muaj më parë edhe për episodin e një avokati që mbasi dëgjoi sharjet poshtë shtëpisë u konfliktua me pronarin e një lokali.