13 kompani “call center”-ash në Shqipëri janë duke u hetuar nga autoritetet shqiptare pasi dyshohet se përgjatë një periudhe 2-vjeçare kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash përmes mashtrimit nga qytetarë të ndryshëm të Bashkimit Europian. Hetimi nisi nga kërkesa e autoriteteve gjermane pas ankesës së një gruaje, të cilës një “call center” në Tiranë i kishte marrë 9700 euro duke i premtuar se do të investonte në Bitcoin.
I pari që e denoncoi publikisht atë që po ndodhte me call center-at, ishte gazetari Artan Hoxha pak ditë më parë. Në kohën që SPAK vazhdon hetimet një pjesë e këtyre kompanive të call center-ave u vendosën në lëvizje duke nisur boshatisjen e ambienteve.
Gazetari Artan Hoxha ka ripostuar në faqen e tij në Facebook një foto me një makinë gjermane duke paralajmëruar se janë vërdallë duke nënkuptuar hetimet për dosjen e call center-ave. “Gjermanet, gjermanet, jane verdalle. Me duket se po na numërojnë” shkruan Hoxha.
Autoritetet në Shqipëri janë duke verifikuar adresat e këtyre call-center-ave përmes IP së internetit por sipas statusit të Artan Hoxhës grupit të hetimit duket se i janë bashkuar edhe gjermanët duke paralajmëruar zhvillime të reja në vazhdim.