Kreu i qeverisë Edi Rama u pyet nga gazetarët nëse po sulmon Ilir Metën dhe LSI-në në sajë të taktikës së tij të mirëmenduar për të bashkëpunuar me Lulzim Bashën pas zgjedhjeve të 25 Prillit.

Rama nuk pranoi të jepte një përgjigje direkte për pyetjen, dhe tha se ai nuk kishte kohë për të humbur me komente ”e lagu se lagu”.

“Sa i takon pyetjes tjetër, nuk kam koment, nuk dua të humbas kohë me këto e lagu se lagu”, u shpreh Rama.

Prej disa ditësh kryeministri Edi Rama dhe presidenti Meta janë përfshirë në replika të forta mes tyre, të cilat kulmuan gjatë ditës së djeshme, ku njëri pas tjetrit akuzuan për probleme me trutë e kokës.

Ishte Rama ai që tha i pari se Meta kishte probleme me trutë e kokës, ndërkohë që presidenti u përgjigj duke thënë se kushdo që zgjidhet në institucione drejtuese apo Kuvend, duket të kalojë më parë disa teste mjekësore.

Rama është investuar mjaft në akuzat për LSI-në, për të cilën tha disa ditë më parë se së bashku me Lulzim Bashën kishin vendosur që ta çonin për skrap, por kreu demokrat ishte tërhequr në momentet e fundit nga plani.

(E.K/Faxweb.al)