Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu janë përplasur në Kuvendin e Kosovës për emërimet familjare, ndërsa në këtë ndërhyri edhe shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Musliu para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se e kanë vënë në shënjestër motrën e saj, Fatmire Musliun, që punon në Ambasadën e Kosovës në Gjermani.

“…Ju jeni ata që e keni kryqëzuar motrën time vetëm për një fakt biologjik: që është motra ime. Motra e Ganës e shkolluar në Gjermani është kryqëzuar se është motra ime. Ndërsa këta tuajit i kanë plotësuar kushtet… Kryetar nuk të ka hije të bie niveli i debatit… ka thënë Musliu.

Në anën tjetër, Konjufca deklaroi se ka listë me mbi 100 emra që janë punësuar në pozita të ndryshme, që janë familjarë dhe të afërm të deputetëve të opozitës.

“Me ja fillu me i numëruar familjarët në BQK e me ja u numëru në Telekom, mendoj që në këtë Kuvend ta bi listën e saktë që shkojnë deri në nivelin e dhëndrit, vjehrrit, motrave, vëllezërve…. Gane, po të betohem në vajzat e mia që 150 familjarë t’i dorëzojë me listë…jo vetëm tuat…por të deputetëve opozitarë…me listë kom me t’i dorëzu”, ka thënë Konjufca.

Ai tutje tregoi që vëllai i tij është pranuar në Universitetin e Prishtinës një muaj para se të vjen në qeverisje Lëvizja Vetëvendosje.

“Çka më kishe bërë po të ishte pranuar sot…”, ka thënë Konjufca.

Pas kësaj, ka reaguar edhe shefi i Grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri.

Ai tha se nepozitimi zë vend në këtë 100 ditësh të Qeverisë Kurti. “Nuk ke çka me fol tjetër, veç nepotizmit”.

balkan