Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ka folur mbrëmjen e sotme për raportin personal dhe profesional me deputetin socialist Bashkim Fino, që u nda nga jeta ditën e sotme.

Klosi e përshkruan Finon si një njeri shumë të rregullt në punë, i cili të mbyllte derën nëse shkoje 5 minuta me vonesë. Ndërkohë, ministri tregon në Open edhe për bisedat e fundit me të ndjerin, duke zbuluar se Fino i kishte shkruar “Klos vazhdoni fushatën të fitoni”.

“Po të shkojë në 8 e 5, Bashkimi të mbyllte derën. Nuk kishte kompromis me Bashkimin. Unë punoja zv.ministër kur ai ishte ministër. Ishte shumë i sertë për punën. Duhet të mendoheshe mirë për punën. Por ishte edhe babaxhan. Bashkimi ishte tek pjesa tradicionale e partisë aq sa e reformuar e saj. Ka qenë zë i fortë, mbaj mend debatin e ’99 që do të bëhej zgjedhja dhe bëri një luftë të paepur në atë kohë. Kam pasur shumë marrëdhënie personale. Kam komunikuar përditë me të dhe me doktorin e tij gjatë kohës që ishte i sëmurë. Ai ishte i rënduar, covid i preku në masë të madhe mushkëritë. Mbaj mend që më tha Klos vazhdoni fushatën të fitoni, mbaj mend që kishte atë maskën e oksigjenit e më tha fitoni. Kam që nga ’97-a që kam një miqësi me Finon dhe e di që të gjithë e donin. U bëri mirë të gjithë atyre që besojnë tek politika”, tha Klosi