Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur këtë mëngjes pranë urës së Kardhiqit, në nyjën që lidh qytetet e Sarandës, Gjirokastrës dhe Tepelenës.Rreth orës 09:30, një autoambulancë e Spitalit të Tepelenës, e cila po transportonte një pacient drejt Reanimacionit në Gjirokastër, është përplasur me një automjet tip BMW që i ka prerë rrugën në mënyrë të papritur.

Autoambulanca, e drejtuar nga shtetasi Gj. Sh., nuk ka mundur të shmangë përplasjen, duke përfunduar jashtë rruge, në anën e djathtë të karrexhatës.Automjeti tjetër, një BMW me targa TR8732L, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në pjesën e përparme, si pasojë e impaktit të fortë. Sipas të dhënave të para, automjeti vinte nga drejtimi jugor, ndërsa autoambulanca po udhëtonte me urgjencë drejt spitalit rajonal.

Nga aksidenti janë lënduar gjashtë persona: drejtuesi i ambulancës, pacienti që po transportohej, infermierja dhe shoqëruesja që ndodheshin në mjet, si dhe drejtuesi i automjetit tjetër së bashku me një pasagjere që ndodhej me të.

Gjendja më e rëndë paraqitet ajo e pacientit, shtetasi I. M., i cili ka marrë dëmtime të mëtejshme nga përplasja dhe ndodhet në kujdes intensiv. Të tjerët fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit. Shkak kryesor dyshohet të jetë mospërfillja e përparësisë nga drejtuesi i BMW-së, por hetimet janë ende në vijim.