Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një verifikim të thelluar për figurën e kandidatit të Partisë Demokratike Ferinand Saraçi, i cili është në garën e 6 marsit për kryetar bashkie në Rrogozhinë.
Të dhënat nga organi i akuzës bëjnë me dije se kërkesa ka mbërritur në sektorin e dekriminalizimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në formularin e dekriminalizmit që ka dorëzuar në KQZ, kandidati Saraçi e ka bërë të ditur se ka qenë i dënuar në Itali për armëmbajtje pa leje.
Behet fjalë për një dënim me 4 muaj burg dhe 100 mijë lireta gjobë , vendim i marrë në vitin 1999. Kandidati për kryebashkiak e ka njohur KQZ-në edhe për ndryshimin e emrit në dokumentin e dekriminalizmit, siç shihet edhe në formularin e dorëzuar.
KQZ pavarësisht këtyre fakteve e regjistroi atë për zgjedhjet e 6 marsit në siglën e Partisë Demokratike, ndërsa për verifikim të thelluar pret tani Prokurorinë e përgjithshme sipas procedurave të parashikuara në ligjin e dekriminalizimit.
