Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga foltorja e Kuvendit në seancën e sotme bëri një bilanc të punës së institucionit që drejton në luftën kundër koronavirusit.

21 muaj më vonë sfida e kësaj përballje mbetet njëlloj e vështirë si ditën e parë. Ajo ka vendosur në provë cdo pjesë të këtij sistemi, që nga mjekët, infermierët deri te strukturat spitalore dhe investimet tona. E kuptueshme është lodhja prej pandemisë, që nuk ka sesi të mos jetë e pranishme edhe këtu.

Por sado e gjatë të duket kjo përballje, vigjilencën nuk duhet ta ulim. Virusi është një realitet që po shtyn shumë vende t’u rikthehen masave dhe më të ashpra se para pandemisë. Varianti i ri i ka dhënë një tjetër dimension i të panjohurës. Përballë kemi pasur sulme dhe akuza që shpesh herë i kaluan kufijtë e absurdit” tha ajo.

Ministrja theksoi se Shqipëria ka garantuar mbi 5.5 mln vaksina, që do të vijnë brenda 6 mujorit të parë të 2022. Ajo bëri thirrje për t’u vaksinuar. “Vaksina është e garantuar për cdo qytetar. Kemi një rritje në përdorimin e vaksinave në raport me tre muaj më parë dhe kemi filluar prej 3 dhjetorit me dozën përforcuese. Duhet të rrisim mbrojtjen ndaj varianteve të reja. Vaksinimi me dozën e tretë rrit mbrojtjen.

Është koha të kemi një vrull të ri për një dimër të sigurt për përballjen me rrezikun e virusit. Kemi kaluar në një plan “B” të masave për parandalimin e përhapjes. Edhe të gjitha masat për paraqitjen e kartës së vaksinimit për administratën dhe punonjësit në qendra tregtare duke filluar nga data 4 janar, ose me testin e vaksinimit” tha ajo./