Autori 39-vjeçar i aksidentit të rëndë ditën e sotme te Rruga e Kavajës, është shoqëruar disa herë në polici për shkelje të kodit rrugor.

Policia bën me dije se Ajas Sulejmani, i cili përplasi një çift dhe fëmijën e tyre 3 muajshe, ishte ndëshkuar 8 herë brenda një periudhe të shkurtër për shkelje të ndryshme si shkelje semafori apo mosvendosjen e rripit të sigurimit.

Tre javë më parë ai ishte shoqëruar për verifikim në Komisariatin e Policisë Rrugore në Tiranë.

Sulejmani shkeli semaforin e kuq ditën e sotme, duke ngarë makinën në një rrugë urbane pranë Kompleksit Delijorgji, me mbi 90 kilometra në orë. Ai gjithashtu ishte pa patentë dhe u largua nga vendi i ngjarjes pas aksidentit të rëndë.

Informacion shtesë nga Policia:

Në lidhje me aksidentin e ndodhur në Rrugën e Kavajës, ku një automjet me targa të huaja aksidentoi një çift dhe fëmijën e tyre të vogël, dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes, ju informojmë se:

Pas një pune intensive hetimore, u bë i mundur lokalizimi i shtetasit A. S., në një spital privat, dhe më pas shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe arrestimi i tij.

Drejtuesi i automjetit me targa të huaja, shtetasi me iniciale A. S., 39 vjeç, i dyshuar si autori që shkaktoi aksidentin me këmbësorët, në Rrugën e Kavajës, është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit.

Gjithashtu, ky shtetas është ndëshkuar disa herë, me bllokues gomash, për shkak të parkimeve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët e kryeqytetit.

Po ky shtetas është shoqërur tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.