Policia e Korçës ka dhënë zbardhur aksidentin e ndodhur tre ditë më parë ku një makinë tip “BMW” u aksidentua dhe ku u plagosën dy pasagjerët.
Sipas burimeve policore shoferi dhe pasagjeri S.T, tashmë i arrestuar kishin thyer arrestin e shtëpisë.
Policia po vijon kapjen e 25-vjeçarit Q.Sh, që ishte në timon ditën e aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për dokumentimin e plotë dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit rrugor të ndodhur më datë 21.03.2022, në rrugën Ravonik-Korçë, ku si pasojë e daljes nga rruga të mjetit tip “BMW”, u dëmtuan dy pasagjerë, shtetasit S. T., 20 vjeç dhe A. P., 20 vjeç, banues në fshatin Plasë, Maliq, ju informojmë se:
Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë ndalimin për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, të shtetasit S. T., 21 vjeç, si dhe shpallën në kërkim shtetasin Q. Sh., 25 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë.
Nga hetimet e kryera rezultoi se të dy këta shtetas kanë thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, duke qenë se po udhëtonin me mjetin tip “BMË”. Shtetasi Q. Sh. dyshohet se drejtonte mjetin, ndërsa 21-vjeçari S. T. ishte pasagjer, së bashku me tre shtetas të tjerë. Shtetasi S. T., i dëmtuar nga aksidenti, është paraqitur për mjekim në spitalin e Korçës, ku nuk ka treguar rrethanat e aksidentit, por ka deklaruar se është rrëzuar nga biçikleta, në banesën e tij. Nga ana e Policisë po punohet për kapjen e shtetasit Q. Sh.