Policia e Pukës ka reaguar zyrtarisht në lidhje me të shtënat me armë që ndodhën pranë Hotel Turizmit, ndërsa njofton se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin. Sipas policisë autori i të shtënave me armë është një 26-vjeçar nga Tirana, i cili dyshohet se ka qëlluar nga një mjet Maserati në lëvizje.

Për këtë ngjarje pati pretendime dhe nga kryebashkiaku i Pukës, Gjon Gjonaj, i cili akuzoi se të shtënat janë kryer nga njerëz mbështetës të kundërshtarit të tij politik, me qëllim frikësimin e qytetarëve për të zgjedhur.

Njoftimi i policisë së Pukës:

Qëlloi në mesnatë, me armë zjarri në ajër nga automjeti, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin.

Vijin puna intensive për kapjen e 26-vjeçarit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, me marrjen e njoftimit, në mesnatë, rreth orës 00:20, se në dalje të qytetit të Pukës në aksin rrugor Pukë – Fushë-Arrëz, ishin dëgjuar të shtëna me armë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë organizuar punën, ku falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit, i cili ka qëlluar me armë zjarri, në ajër.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të policisë bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje dhe shpallja në kërkim e  shtetasit K. P., 26 vjeç, banues në Tiranë.

Vijon puna intensive për kapjen e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore.

Gjithashtu u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim dhe e automjetit nga i cili ky shtetas ka qëlluar në ajër, duke qënë në lëvizje.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.