Policia Rrugore e Tiranës vijon kontrollet e dedikuara për ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Si rezultat, u goditën edhe 3 raste të tjera të drejtimit të automjetit nën efektin e lëndëve narkotike.
Deri tani, janë 28 drejtues mjetesh që janë kapur në timon nën efektin e drogë, pas testimit me aparatin AquilaScan. Shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasit
O. K., 41 vjeç, A. S., 29 vjeç dhe R. U., 21 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet përkatëse, nën efektin e lëndëve narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, drejtuesit e mjeteve të mos drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit ose të lëndëve narkotike, të vendosin rripin e sigurimit dhe të moderojnë shpejtësinë.