300 shezlongë janë sekuestruar dhe 3 administratorë subjektesh janë proceduar në gjendje të lirë, ky është rezultati i një operacioni blic nga blutë e Vlorës përgjatë vijës bregdetare.
Sipas edhe komunikatës për shtyp, 3 administratorët e subjekteve kishin zaptuar hapësirë rreth 8000 m², në zonë të mbrojtur, në vendet e quajtura “Zhanpovel” dhe “Shën Vasil”, për stacion plazhi, bar dhe restorant, gjithashtu në subjektet e tyre kishte punonjës të pasiguruar, si dhe ofroheshin shërbim dhe produkte, pa kupona tatimorë.
Policia thotë se materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, por operacionet “Coastline” dhe “Plazhi i Lirë” do të vijojnë intensivisht në qarkun Vlorë.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/ Në kuadër të planit operacional policor të koduar “Plazh i lirë”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Vlorë, ka vijuar kontrollet në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe.
Lirohet hapësira në vijën bregdetare, në Karaburun.
Procedohen penalisht 3 administratorë subjektesh, të cilët zunë hapësirë rreth 8000 m², në zonë të mbrojtur, në vendet e quajtura “Zhanpovel” dhe “Shën Vasil”, për stacion plazhi, bar dhe restorant.
Në subjektet e tyre kishte punonjës të pasiguruar, si dhe ofroheshin shërbim dhe produkte, pa kupona tatimorë.
Sekuestrohen 300 shezlongë.
Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme nga subjekte të ndryshme që ndërtojnë pa leje dhe vendosin çadra dhe shezlongë, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Vlorë referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimin penal për shtetasit K. B., E. Ç. dhe V. B.
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me autoritetet e Inspektorateve Ndërtimore, Drejtorinë e Tatimeve, AKB-në dhe Policinë Bashkiake Vlorë, kanë konstatuar në hapësirën e zaptuar për stacion plazhi, në mënyrë të paligjshme nga këta 3 subjekte, një strukturë druri rreth 500 m², të ndërtuar pa leje, me fushë veprimtarie bar-restorant, si dhe 300 shezlongë të vendosur, të cil՞t janë hequr, duke liruar hapësirën publike në Karaburun.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se në këto subjekte kishte punonjës të pasiguruar, si dhe ofroheshin shërbim dhe produkte, pa lëshuar kupona tatimorë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i Lirë” do të vijojnë intensivisht në qarkun Vlorë.