Policia ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me eksplozivin e gjetur mbrëmjen e djeshme te zona e “Velierës” në qytetin e Durrësit.
Sipas njoftimit, mësohet se lënda plasëse ka qenë e lidhur me një celular e cila gjithashtu ka qenë e ngjitur me ngjitës plastike.
Mësojmë se mbrëmjen e djeshme policia është njoftuar nga kalimtarët e zonës, të cilët konstatuan lëndën plasëse. Eksplozivi ishte vendosur pranë pallatit ku jeton kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Gjithashtu zona ka qenë e izoluar deri në orët e para të mëngjesit, ku u bë dhe shpërthimi i neutralizuar për shmangien e rreziqeve.
Njoftimi i policisë:
Më datë 20.05.2025, rreth orës 22:30, në lagjen nr. 1, në vendin e quajtur “Veliera”, është konstatuar një pako me lëndë të dyshuar plasëse. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në adresën e dhënë dhe vendosën perimetrin e sigurisë, ndërsa njësia antieksploziv e RENEA-s kreu veprimet për çaktivizimin e pakos me lëndë plasëse që ishte lidhur me një celular të ngjitur me natriban.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Durrësit.