Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar ndjeshëm kontrollet në akset kryesore të kryeqytetit, duke përdorur drone, radarë, kamera inteligjente dhe prani fizike të shtuar të shërbimeve, për të garantuar rend dhe siguri në qarkullimin rrugor.

Në bilancin e javës që lamë pas, autoritetet njoftojnë për 49 shtetas të arrestuar ose proceduar penalisht, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor. 15 prej tyre janë ndaluar për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, duke përbërë një rrezik të shtuar për sigurinë në rrugë.

Po ashtu, 4 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale janë ndaluar gjatë kontrolleve. 40 automjete janë bllokuar, ndërkohë që janë vendosur 14,495 masa administrative, përfshirë gjoba për tejkalim shpejtësie, përdorim celulari gjatë drejtimit të automjetit, mungesë dokumentacioni dhe parakalim të gabuar.

Gjithashtu, janë pezulluar 21 leje drejtimi, për shkelje të rënda që lidhen me sigurinë rrugore.