
Në Poloni, qindra qytetarë të zakonshëm mes tyre burra dhe gra, të rinj dhe të moshuar, po mësojnë të përdorin armë dhe të mbrojnë veten në rast lufte.
Në një terren stërvitor pranë qytetit të Wroclaw-it, çdo fundjavë organizohet programi “Stërvitu me Ushtrinë”, ku civilët mësojnë si të qëllojnë, të vendosin maska kundër gazit, të japin ndihmën e parë dhe të luftojnë trup më trup.
“Jetojmë në kohë të pasigurta dhe duhet të jemi të përgatitur,” thotë kapiteni Adam Sielicki, që koordinon këtë nismë. “Rreziku nga Rusia është real, dhe ky program është një përpjekje për t’i bërë qytetarët më të aftë për vetëmbrojtje.”
Interesimi për programin është aq i madh, sa qeveria polake ka shpallur planet për ta shtrirë atë në mbarë vendin, me qëllim që çdo djalë i rritur të marrë trajnim bazë ushtarak. Në të njëjtën kohë, Polonia ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen – këtë vit planifikon të investojë gati 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më shumë se çdo vend tjetër i NATO-s.
Përballë kërcënimit nga lindja dhe luftës në Ukrainë, Polonia po ndërton një nga ushtritë më të mëdha dhe më moderne në Europë. Kryeministri Donald Tusk ka deklaruar se synimi është që Polonia të ketë “ushtrinë më të fortë në rajon”. Vendi ka bërë porosi të mëdha për armë, avionë luftarakë, raketa dhe pajisje të tjera nga SHBA, Koreja e Jugut dhe Suedia.
Por ajo që ka rritur më shumë pasigurinë është rikthimi i Donald Trump në qendër të vëmendjes. Deklaratat e tij të përsëritura për tërheqjen e SHBA nga Europa kanë alarmuar Varshavën. Edhe pse aktualisht 10,000 trupa amerikane janë të stacionuara në Poloni, mbyllja e një baze ushtarake në lindje të vendit muajin e kaluar u pa si sinjal paralajmërues.
Për këtë arsye, Polonia po kërkon të forcojë marrëdhëniet ushtarake me Francën dhe Britaninë. Në ditët në vijim pritet një marrëveshje e re mbrojtjeje me Parisin, ndërsa është në përgatitje edhe një tjetër me Londrën. Ndërkohë, është përmendur mundësia që Polonia të përfshihet nën “ombrellën bërthamore” franceze.
Edhe qytetarët ndihen të pasigurt. Disa po ndërtojnë strehimore anti-bombë për t’u mbrojtur në rast konflikti. Një kompani në jug të vendit, ShelterPro, thotë se kërkesat për bunkerë janë rritur ndjeshëm. “Klientët tanë kanë frikë nga një sulm rus dhe nuk janë të sigurt se NATO do të na mbrojë nëse ndodh më e keqja,” thotë drejtuesi i saj, Janusz Janczy.
Megjithatë, realiteti në terren është kompleks. Një sondazh i fundit zbulon se vetëm 10.7% e polakëve do të bashkoheshin si vullnetarë në rast lufte, ndërsa një e treta e popullsisë thotë se do të përpiqej të largohej nga vendi. Studentë të intervistuar në Wroclaw shprehen të pasigurt: “Nëse Rusia do të na sulmonte, me shumë mundësi do të ikja,” thotë një prej tyre. Një tjetër shton: “Nuk shoh ndonjë arsye për të cilën do të jepja jetën këtu.”
