Biznesmeni i njohur në fushën e ndërtimit, Pëllumb Salillari, pronar i kompanisë “Salillari SHPK” ka rënë pre e të paktën 4 vjedhjeve përmes mashtrimit nga 3 persona, të cilët tashmë qëndrojnë pas hekurave. Nga hetimi rezultoi se shtetasit Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç, të cilët ndodhen aktualisht nën masën e arrestit me burg, kishin mundur të ndërhynin në rrjetin Signal dhe të bënin të mundur që t’i shkruanin biznesmenit të njohur, mesazhe që atij i shfaqeshin me dërgues kontaktin me emrin “Edi”.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dosjen hetimore, ku thuhet se biznesmeni është mashtruar të paktën 4 herë, duke i marrë shuma të mëdha parash. Në dosje thuhet se të gjithë personat e përfshirë, kanë përfituar, pavarësisht pretendimeve të tyre, ndërsa kur bisedonin përmes mesazheve me Salillarin, hiqeshin si person me pushtet.
“Nga aktet provohet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se me këto veprime korrekte, të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë skemë vjedhjeje përmes mashtrimit, pavarësisht pretendimeve të tyre, të gjithë pa përjashtim, kush më shumë e kush më pak, kush në rolin e organizatorit e ashtu edhe të zbatuesit, për periudha të shkurtra kohore, kanë vjedhur nëpërmjet mashtrimit të paktën në katër raste të provuara subjektin “Salillari” në Tiranë, duke konsumuar në këtë mënyrë plotësisht, elemente të figurës së veprës penale të ‘Mashtrimit’ në bashkëpunim edhe më shumë se një herë, sipas nenit 143/2 të Kodit Penal ‘Përvetësimi i pasurisë private ose publike, nëpërmjet paraqitjes së fakteve të rreme ose duke fshehur fakte të vërteta, gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit, për vetë ose persona të tjerë”, thuhet në dosje.
Në dosje thuhet ndër të tjera se në marrëdhënien e krijuar mes palëve, siç e tregoi edhe koha dhe veprimet e të arrestuarve, ka qenë qëllimi i posaçëm i tyre për të grabitur të dëmtuarin, duke u hequr si dikush tjetër me pushtet. “Në këtë mënyrë, me dashje të drejtpërdrejtë dhe qëllim fitimi material apo monetar për vete, të lindura këto në momentin kur është realizuar marrja e pasurisë, ose të drejtat mbi të, të arrestuarit me anë të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit, në mënyrën dhe mjetet e përcaktuara më herët dhe të sipërpërmendura, kanë përfituar të gjithë.”, citohet në dosje.
(BalkanWeb)