Dega e Vatrës në Michigan, në bashkëpunim me Komunitetin Bektashian Shqiptar në Amerikë, ka bërë një thirrje publike për një protestë që pritet të mbahet më 18 janar 2025, në orën 16:00, pranë Teqesë Bektashiane në Taylor, Michigan.
Thirrja është bërë përmes një postimi të shpërndarë në rrjetet sociale, ku theksohet rëndësia e pjesëmarrjes masive në këtë ngjarje.Sipas organizatorëve, protesta ka një karakter antikomunist dhe synon, siç thuhet, “prishjen përfundimtare të çerdhes komuniste” në këtë vend. Protesta pritet të jetë paqësore dhe se ajo ka për qëllim të ndalojë veprimet e pretenduara të një grupi të quajtur “banda Tao.” Përveç kësaj, në poster përmenden përgjimet përmes platformave SKY dhe EncroChat, duke iu bërë thirrje autoriteteve, përfshirë FBI-në, të ndërhyjnë për të ndalur aktivitetet e këtij grupi.
Organizatorët i bëjnë thirrje të gjithë komunitetit shqiptar të bashkohen dhe të mbështesin këtë protestë, duke u distancuar nga ato që ata i quajnë “grupe të drejtuara nga sigurimi i shtetit.” Në materialin e shpërndarë, emrat si Mond Rakatiri dhe Dervish Palosja janë theksuar me kryqe të kuqe, duke sinjalizuar një kundërshtim të hapur ndaj tyre dhe duke u kërkuar të qëndrojnë larg Teqesë.
Slogani kryesor i kësaj proteste është “POSHTË KOMUNIZMI!”, që tregon qartë frymën dhe mesazhin që synon të përcjellë kjo iniciativë. Organizatorët theksojnë se kjo ngjarje është një mundësi për të gjithë komunitetin që të marrë pjesë aktivisht në një çështje që, sipas tyre, prek interesat dhe vlerat e shqiptarëve në diasporë.
© SYRI.net