Komuna e Prishtinës, përmes Drejtorisë së Sportit, ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve për sportistët më të dalluar dhe ngjarjet sportive më të rëndësishme të vitit 2024. Ky event, tashmë i përvitshëm, kishte për synim të vlerësojë sukseset dhe kontributin e sportistëve, trajnerëve dhe klubeve në zhvillimin e sportit në kryeqytet.
Një nga çmimet kryesore të ceremonisë ishte ai për “Ngjarjen më atraktive të vitit 2024”, të cilin e fitoi Klubi i Pingpongut Priping për organizimin e Prishtina Open Table Tennis International Tournament 2024 (POTTTIT). Ky turne ndërkombëtar, i mbajtur në Prishtinë, tërhoqi mbi 300 garues nga 25 vende të ndryshme, duke e shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të vitit në Kosovë.
POTTTIT u dallua për nivelin e lartë të organizimit, pjesëmarrjen e sportistëve cilësorë dhe promovimin e pingpongut si sport elitar në vend. Përmes këtij eventi, Priping jo vetëm që ngriti standardet e garave në Kosovë, por edhe kontribuoi në imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të sportit.
Kastriot Orana, organizator i turneut dhe drejtues i KPP Priping, u shpreh i lumtur për këtë vlerësim nga komuna e Prishtines. “Ky çmim është një konfirmim i punës së palodhshme që kemi bërë me ekipin e klubit për të ngritur pingpongun në një nivel më të lartë. Prishtina Open Table Tennis International Tournament 2024 apo POTTIT 2024 jo vetëm që ishte një sukses sportiv, por edhe një mundësi për të promovuar qytetin dhe vendin tonë në arenën ndërkombëtare. Ky është vetëm fillimi – synojmë që ky turne të bëhet një pikë referimi në rajon dhe më gjerë” u shpreh Orana.
Përveç suksesit të klubit, dy lojtarë të talentuar të KPP Priping, Denat Makolli dhe Deti Konushevci, u vlerësuan me çmimin “Shpresa e Vitit – Meshkuj”.
Ky çmim u ndanë për të njohur punën dhe përkushtimin e të rinjve premtues në sport, të cilët me rezultatet e tyre kanë dëshmuar një të ardhme të ndritur në pingpong.
Krahas çmimeve për KPP Priping dhe sportistët e tij, në këtë ceremoni u ndanë edhe shumë çmime të tjera për sportistët dhe trajnerët më të dalluar të vitit 2024 në disiplinat e ndryshme. Drejtori i Sportit i Komunës së Prishtinës Kushtrim Mushica u shpreh se këto çmime shërbejnë si një motivim i madh për sportistët dhe klubet, duke i inkurajuar që të vazhdojnë të punojnë për të ngritur nivelin e sportit në kryeqytet edhe gjate vitit 2025.
