Raundi i tretë, ku zgjedhja e Presidentit të ri kërkon edhe dakordësinë e opozitës, po shkon drejt ezaurimit pa një dakordësi mes PS dhe PD, por Alibeaj dje la ende një derë hapur për konsensus.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar ditën e djeshme, kryetari i Grupit të PD-së sqaroi shkeljen e marrëveshjes nga ana e PS-së dhe se shkelja e marrëveshjes nënkuptonte tërheqjen e opozitës nga propozimi i një emri për President. Por megjithatë ai la të hapur mundësinë për të dialoguar me PS për të zgjedhur një President konsensual, sipas marrëveshjes, duke iu referuar dokumentit që sanksiononte një kandidaturë të përbashkët.

“Pavarësisht skepticizmit dhe sulmeve, është detyrim i opozitës që në një proces kaq të rëndësishëm të mos shmangej. Maxhoranca nuk i ka kurrë 71 vota, me 3 mandate të Tom Doshit me dy të Aqif Rakipit dhe dy që s’janë fare, me raportin e OSBE/ODIHR, besoj që është detyrim yni që të marrim pjesë në proces. Marrim pjesë me dëshirën që të zhbëjmë kulturën e vogël të bojkotit që nuk eci. Të krijojmë kulturë të re të përballje me sfidat. Të futemi me të me moral.

Ne u ofruam me një dokument me ca rregulla të thjeshta që u pranua nga pala tjetër, pranuar në prani të mediave. Ne vazhduam dhe u mblodhëm këtu për të identifikuar emrat potencialë. Ndërkohë, menjëherë sapo dolën propozimet fillestare, ditën tjetër PS u tërhoq. Pa thënë asgjë për ata emrat që ishin fillestarë që do të diskutoheshin. Ne e bëmë punën tonë. Kryem detyrimin politik moral. Presidenti e ka të nevojshëm të ketë legjitimitet të plotë, ndryshe do të jetë President i gjymtuar.

Ne u qëndruam detyrimeve sipas dokumentit. Pala tjetër u tërhoq. Nëse tërhiqeni, kjo dakordësi bie. Megjithatë, vlera e këtij dokumenti qëndron deri në momentin e fundit ligjor. Në orën 12 qëndrojmë, nëse i ndërron mëndja Ramës jemi gati të mblidhemi dhe të vazhdojmë atë dokument”, u shpreh Alibeaj.

DEBATI PËR KOMISIONET

Pika e dytë e rendit të ditës në mbledhjen e Grupit të PD-së dje ishte caktimi i anëtarëve të tri komisioneve të rëndësishme që janë cilësuar si prioritarë për PD-në. Një prej tyre është Komisioni Hetimor për Investimet Strategjike, të cilin deputetët e PD-së kërkojnë që të ngrihet në Kuvend.

Në këtë komision, kryetar nëse do të miratohet, do të jetë Gazment Bardhi, ndërsa anëtar Lefter Gështenja, Bledion Nallbati etj. Përbërja e këtij komisioni që, sipas gjasave, nuk do të arrijë të ngrihet për shkak të kundërshtive të maxhorancës, nuk pati kundërshtime. Debatet nisën në përbërjen për Komisionin e Reformës Territoriale dhe atë Zgjedhore. Në Komisionin e Reformës Territoriale bashkëkryetare është caktuar nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve, Dhurata Çupi.

Ndërkohë, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi, duke marrë parasysh shpërndarjen gjeografike të përfaqësuesve në komision, kishin vendosur që në këtë komision të fusnin edhe ish-kryetarë të pushtetit vendor. Por për këtë komision, problemi qëndronte te dy deputetet e qarkut të Durrësit, që mbulojnë të dyja zonën e Fushë-Krujës, Andia Ulliri dhe Merita Bakiu. Të dyja janë deputete për herë të parë, megjithatë insistimi i tyre, sipas burimeve, ishte i lartë për të vendosur mbi ndarjen e re territoriale.

Pas insistimit të të dyja deputeteve, ishte deputeti i Devollit, Bledion Nallbati, i cili kërkoi të mos ishte pjesë, për t’u lënë hapësirë dy kolegeve të tij. Ndërsa për Reformën Zgjedhore, ku bashkëkryetar do të jetë Alibeaj, diskutimi ishte fokusuar mes Ina Zhupës dhe Orjola Pampurit. Por pasi kjo e fundit ishte larguar në mënyrë demonstrative nga mbledhja, u vendos që të ishte pjesë. Ndërkohë, Alibeaj nuk negocioi pjesëmarrjen e Bylykbashit.

 DEPUTETËT NË KOMISIONE
Komisioni Hetimor për Investimet Strategjike:
1. Gazment Bardhi (kryetar)
2. Ferdinand Xhaferaj (anëtar)
3. Lefter Geshtenja (anëtar)
4. Ilda Dhori (anëtare)
5. Emilia Koliqi (anëtare)
6. Bledion Nallbati (anëtar)
7. Arbi Agalliu (anëtar)
8. Kastriot Piroli (anëtar zëvendësues)
9. Jorida Tabaku (anëtare zëvendësuese)
10. Ramadan Likaj
Komisioni për Ref. Territoriale:
1. Dhurata Çupi (bashkëkryetare)
2. Zef Hila (anëtar)
3. Andia Ulliri (anëtare)
4. Xhelal Mziu (anëtar)
5. Orjola Pampuri (anëtare)
6. Saimir Korreshi (anëtar)
7. Merita Bakiu (anëtare zëvendësuese)
8. Bledion Nallbati (anëtar zëvendësues)
9. Zheni Gjergji (anëtar zëvendësues)
Kom. Për Ref. Zgjedhore:
1. Enkelejd Alibeaj (bashkëkryetar)
2. Oerd Bylykbashi (anëtar)
3. Grida Duma (anëtare)
4. Dashnor Sula (anëtar)
5. Kreshnik Çollaku (anëtar)
6. Lindita Metaliaj (anëtare)
7. Seladin Jakupllari (anëtar zëvendësues)
8. Ervin Salianji (anëtar zëvendësues)
9. Eralda Bano (anëtar zëvendësues)