Presidenti Ilir Meta ka mbajtur një qëndrim të fortë kundër Ballkanit të Hapur gjatë një vizite që ka pasur në Kosovë, me pedagogë dhe studentë të një universiteti privat, në ligjëratën me temë “Shqiptarët, si faktor stabiliteti në Ballkan”.
Kreu i shtetit foli për një rrymë serbo-centriste që po gjallon në rajon përmes vorbullave artificiale, duke kritikuar Ballkanin e Hapur që sipas tij nuk është gjithëpërfshirës dhe rivalizon Procesin e Berlinit.
Presidenti kërkoi një marrëdhënie më të vërtetë mes dy vendeve tona, që të shkojë përtej spektaklit të takimit mes dy qeverive, dhe ti japë zgjidhje çështjes së tarifave që duhet të paguajnë sipërmarrësit.
“Kampuset studentore janë foletë më të mira për ngulmimin e dijeve dhe ballafaqimit të ideve. Koha ime më nostalgjike mbeten vitet universitare, kur mbizotëron guximi dhe ëndrrat për një të ardhme më të mirë. Mesazhi i parë është që të çliroheni prej plogështisë dekurajuese dhe një të ardhme që ju largon nga vendi juaj. Kosova, gjaku që nuk falet kurrë. Meqënëse jemi në vigjilje të Pavarësisë, me këtë rast dua të theksoj rëndësinë e ndërgjegjësimit nga ne drejtuesit dhe elitat edukative për të inkurajuar të rinjtë për të qëndruar në vendet tona për të ndaluar shpopullimet e heshtura.
Nuk duhet të pranojmë duarlidhur një fat që duan të na imponojnë të tjerët. Si ju në Kosovë edhe ne në Shqipëri dhe gjithë shqiptarët duhet të përpiqen që aty ku jetojnë të mbizotëroje sundimi i ligjit dhe vlerat evropiane. Me kënaqësi kam përcjellë zgjedhjet e fundit në Kosovë, të cilat kanë qenë shembull i shkëlqyer i demokratizimit dhe vetëdijësimit të mbarë shoqërisë. Zgjedhjet në Kosovë u japin të gjithëve një mësim që kjo shoqëri është vigjilente, llogarikërkuese dhe e gjallë.
Do të doja të ndalesha te rëndësia që kanë marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, pasi së shpejti zhvillohet takimi i 7-të mes qeverive. Si president dua të shoh një marrëdhënie më të afërt, më të vërtetë dhe të qëndrueshme. Nuk janë të ndërtuara kundër asnjë shteti tjetër. E ardhmja nuk mund të përshkojë rrugë tjetër përveç vëllazërimit të pandërmirë. Shija e spektaklit të takimeve zyrtare nuk mund ta zëvendësojë punën që duhet të vazhdojë çdo ditë në thellimin e këtyre marrëdhënieve. Rezulton që për të eksportuar në Shqipëri sipërmarrësi duhet të paguajë disa tarifa përfshirë tarifën e rrugës së Kombit, këto çështje nuk po gjejnë zgjidhje sepse kemi mbetur te shfaqja dhe aparenca. Ka një varg fantastik të Majakovskit: Ah sikur të bëhej edhe një mbledhje që tu jepte fund të gjitha mbledhjeve!”, tha Meta.
“Një rrymë serbo-centriste po rreket të gjallojë në rajon, përmes provokimit të vorbullave artificiale, ku as Tirana apo Prishtina nuk mund ti lejojnë vetes të tregohen indiferente apo symbyllta. Himinizimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i gjenocidit nuk mund të bashkëjetojnë me aspiratat evropiane dhe euro-atlantike të vendeve tona. Çdo tentativë për të na tërhequr drejt një të ardhmeje përmes halucinacioneve të së shkuarës, duhet të ndesh me një refuzim të prerë.
Në kuadër të bashkëpunimit rajonal po konstatojmë oshilacione të padobishme si në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë ashtu edhe në raport me BE-në, e kam fjalën edhe për energjitë kaq të tepërta që po i përkushtohen Mini-Shengenit dhe Ballkanit të Hapur. Rezerva e parë është parimore për sa koha bashkëpunimi është gjithëpërfshirës nuk mund të ofrohet me gjuhë imponuese, politikës përjashtuese dhe faktit të kryer. Rezerva e dytë lidhet me përpjekjet për të rivalizuar Procesin e Berlinit, që është gjithëpërfshirës dhe shoqërohet me garancinë financiare të BE-së”, u shpreh presidenti.