Universiteti “Luarasi” priti sot përfaqësuesit e London School of Economics (LSE) në Tiranë, në kuadër të binjakëzimit të tij me këtë institucion të njohur ndërkombëtarisht. Vizita e përfaqësuesve të universitetit londinez do të përfshijë një seri aktivitetesh dhe ngjarjesh të rëndësishme që do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe shkëmbimin e njohurive ndërmjet të dyja institucioneve.
Në fjalën e saj gjatë konferencës së përbashkët, Presidentja e Universitetit Luarasi, Fabiola Hysenbelliu u shpreh se sot shpallet bashkëpunimi më i ri me një nga institucionet më prestigjioze, Universitetin e Londrës në bashkëpunimin akademik me London School of Economics (LSE).
Hysenbelliu tha se “ky bashkëpunim sjell në Shqipëri tre programe të reja studimi të cilat do t’u ofrojnë studentëve tanë mundësinë unike për të marrë njohuri dhe përvojë të nivelit më të lartë ku në përfundimin e studimeve do të pajisen me diplomën e Universitetit të Londrës”.
“Është një privilegj për mua që të jem këtu me ju në një moment kaq të rëndësishëm për universitetin tonë, për arsimin e lartë shqiptar dhe të gjithë ata që besojnë në fuqinë e dijes si çelësin e suksesit. Me përkushtim të plotë ndaj ekselencës akademike kemi kënaqësinë të shpallim bashkëpunimin tonë të ri me një nga institucionet më prestigjioze, Universitetin e Londrës në bashkëpunimin akademik me London School of Economics.
Universiteti Luarasi gjatë 22 viteve të tij të eksperiencës është konsoliduar si institucion i shquar i njohur për angazhimet e tij ndaj ekselencës akademike dhe zhvillimit. Ky bashkëpunim sjell në Shqipëri tre programe të reja studimi të cilat do t’u ofrojnë studentëve tanë mundësinë unike për të marrë njohuri dhe përvojë të nivelit më të lartë ku në përfundimin e studimeve do të pajisen me diplomën e Universitetit të Londrës. Përmes këtij bashkëpunimi standardet më të larta të arsimit global bëhen pjesë e sistemit tonë të arsimit të lartë duke krijuar mundësinë e jashtëzakonshme për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve të ardhshëm. Kjo inciativë nuk është thjesht një hap përpara për universitetin tonë, por edhe një angazhim i ri për të sjellë në Shqipëri njohuritë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Programet e reja të studimit janë një dëshmi e përkushtimit tonë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për studentët tanë, duke siguruar që ata të jenë të pajisur me njohuritë dhe aftësitë më të kërkuara në fushat e tyre të studimit dhe nevojat që ka tregu i punës sot”, u shpreh Fabiola Hysenbelliu, Presidente e Universitetit Luarasi.
