Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në Samitin e Komunitetit Politik Evropian i cili u zhvillua në Tiranë, takoi kryeministrin e Maltës.

Osmani tha se kishte një diskutim të shkëlqyeshëm me Kryeministrin e Maltës, Robert Abela, mbi forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe Maltës, sfidat e përbashkëta dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

“Potencova rëndësinë e avancimit të aplikimit të Kosovës gjatë Presidencës së Këshillit të Evropës nga Malta, si një hap që do t’i përforconte vlerat evropiane dhe unitetin e kontinentit”, tha Osmani.

Në kuadër të samitit që po mbahet në Tiranë, presidentja Osmani takoi edhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas.  Osmani e ka cilësuar Kallas si një mbështetëse të kahershme të një Evrope të sigurt dhe të bashkuar.

Presidentja Osmani theksoi se Kosova është e gatshme për hapin e radhës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe bëri thirrje që BE-ja të përgjigjet me guxim, qartësi dhe vendosmëri ndaj këtij momenti.