Partia Demokratike zhvillon këtë të shtunë procesin e votimit për primaret për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen më 11 maj. Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 në të gjitha qendrat e votimit dhe do të përfundojë në orën 18:00.

Në garë janë 289 kandidatë për deputetë, të cilët garojnë për 186 vende në listën përfundimtare të PD për deputetë. Sipas Kodit Zgjedhor, vetëm 46 vende janë të sigurta, nga të cilat 19 prej tyre, Berisha i ka mbyllur tashmë për drejtuesit politikë të partisë, të cilët nuk janë pjesë e primareve.

“Kemi parë interes të pakët. Nuk dihet se sa është numri i anëtarëve me të drejtë vote. Kësaj radhe selia blu nuk bën publik numrin e anëtarëve me të drejtë vote, element i rëndësishëm ky për transparencën e këtij procesi. Demokratët i janë drejtuar kutive të votimit, si në selinë blu, e cila është qendra e votimit të degës më të madhe në Tiranë. Kryedemokrati Sali Berisha ende nuk ka mbërritur në seli për të votuar. 6 deputetë kanë dalë kundër këtij procesi”raportoi gazetari.

Ky proces është kundërshtuar nga deputetët Helidon Bushati, Ferdinand Xhaferraj, Petrit Doda, Emilja Koliqi, Eralda Bano dhe Kasem Mahmutaj.