Nga Elton Qyno

12 gëzhoja automatiku janë sekuestruar në vendin, ku mbeti i vrarë 57-vjeçari Pjetër Kaza, i cili sapo ishte kthyer nga puna e tij në minierën e Spaçit në zonën e Munellës.

Sipas policisë Kaza është goditur teksa po hapte derën e banesës. Ndërsa autori i dyshuar sipas hetuesve ka qenë i fshehur në disa shkurre anës rrugës dhe nga aty ka qëlluar duke realizuar vrasjen.

Autori më pas është larguar në këmbë, duke shkuar pikërisht në një vend ku e priste mjeti motor ose makinë, që ka mundësuar ikjen e shpejtë të tij nga zona e krimit.

Për shkak se vrasja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në zonë policia nuk ka siguruar asnjë dëshmitar që të ketë parë siluetën e autorit të krimit.

Për më tepër zona nuk ka kamera vëzhgimi, ndaj dhe kapja e një imazhi të vetëm të autorit të mundshëm të këtij krimi, ka sjellë vështirësi serioze.

Pista e hetimit për këtë vrasje janë përqendruar tek ajo e gjakmarrjes, pasi familja e viktimës qysh prej vitit 1994 është përfshirë në një serial vrasjesh të njëpasnjëshme me një familje tjetër në zonën e Lezhës.

Një vit më parë në Belgjikë viktimës së djeshme i është vrarë vëllai, Agustin Kaza.

Zanafilla e këtij zinxhiri vrasjesh lidhet me ekzekutimin e Ndue Kazës, ish-shef i krimeve në Rrëshen, i cili u vra më 7 janar 1994 në mes të qytetit.

Autorët e dyshuar, vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, u arratisën menjëherë pas ngjarjes. Në vitin 1997, Martin Kaza, vëllai i Ndue Kazës, vrau për hakmarrje dy vëllezërit në Laç, dhe për këtë ngjarje u dënua me 22 vite burg.

Përplasja mes familjeve duket se nuk u ndal as pas kësaj. Më 28 prill të vitit 2024, në një lokal shqiptarësh në Bruksel, u vra Agustin Kaza, vëllai i 57-vjeçarit. Ai u qëllua për vdekje me armë zjarri në kokë dhe kraharor, ndërsa Pjetër Kaza është viktima e tretë në këtë konflikt që vijon prej më shumë se tri dekadash.

Martin Kaza është arrestuar në Londër dhe më pas dënuar, burgim që po e vuan pas arrestimit dhe ekstradimit më 2017.

Por nuk u ndal këtu, pasi sipas dosjes hetimore, vitin e kaluar është ekzekutuar në Belgjikë me katër plumba edhe Agustin Kaza, vëllai i Pjetër Kazës që u vra sot, ndaj edhe ;pista kryesore mbetet gjakmarrja.