Herët a vonë, fundi i një organizate kriminale do të vijë. Shpesh, fati përcaktohet nga brenda. Aty ku njerëzit e ligjit kanë penetruar për të gjetur bashkëpunëtorë. Ata që thyejnë kodin mafioz të heshtjes. Nisin të shkatërrojnë botën që i shërbyen. Çojnë në pranga ata që dikur i thërrisnin “vëllezër.”
“Ngritja e Strukturës së Posaçme të Krimit të Organizuar ka treguar të paktën një seriozitet në të gjitha fushat e hetimit. Qoftë të krimit të organizuar qoftë të veprave penale të korrupsionit. Kjo ka qenë një arsye që ka patur shumë bashkëpunëtor të drejtësisë që kanë kërkuar marrëveshje me Strukturën e Posaçme” u shpreh Vladimir Mara, Prokuror i SPAK.
Të kthesh një kriminel në bashkëpunëtor drejtësie është një proces delikat dhe kompleks. Ata që rrezikojnë më shumë, kanë më tepër mundësi të bëhen bashkëpunëtorë. Për ta thyer heshtjen e një anëtari të krimit të organizuar, prokurori luan me kartën më të fortë: zgjedhjen mes dy botëve. Nga njëra anë, oferta e shtetit, më pak vite burg, mbrojtje për veten dhe familjen. Nga tjetra, hakmarrja e grupit, frika dhe izolimi i përjetshëm.
“Bashkëpunëtori i drejtësisë ka një rol shumë të rëndësishëm pasi hyrja nëpër grupe, organizata kriminale, organizata terroriste që janë vepra penale që mund të nevojitet bashkëpunëtori i drejtësisë, kanë specifika të cilat organet hetuese dhe organet e drejtësisë e kanë të pamundur për të hyrë në strukturat e tyre të brendshme për të kuptuar se si funksionojnë” u shpreh Artur Prenga, ZV/Kryetar i Gjykatës Elbasan.
Pasi bien dakord, prokuroria dhe i penduari firmosin Akt-Marrëveshjen. Me një nënshkrim, krimineli pranon të zbulojë gjithçka: emra, ngjarje, urdhra dhe sekrete që mund të fundosin një perandori të tërë kriminale.
“Është një element i rëndësishëm në fakt në momentin e bashkëpunimit tek bashkëpunëtori i drejtësisë në nivelin apo rolin që bashkëpunëtori i drejtësisë ka patur në një grup kriminal, apo në një organizatë kriminale. E them është element i rëndësishëm pasi sipas rolit që ai ka patuar është edhe dijenia lidhur me veprën penale të kryera nga grupi i strukturuar kriminal…” u shpreh Vladimir Mara, Prokuror i SPAK.
“Personi që pranon të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë lidh një marrëveshje me prokurorin si autoritet përgjegjës për bashkëpunimin, kodi i procedurës penale dhe ligji, ka përcaktuar një afat të caktuar gjatë të cilës bashkëpunëtori do japë dëshminë e tij dhe konkretisht është me një afat 30 ditor, kjo është bërë me qëllim që mos zvarritet procesi i bashkëpunimit” u shpreh Artur Prenga, ZV/Kryetar i Gjykatës Elbasan./tch