Kabineti i sigurisë së Izraelit, pas 9 orësh mbledhje, ka miratuar planin e kryeministrin Benjamin Netanyahu për të pushtuar Gazën.
Pavarësisht alarmit të ndërkombëtare për krizën humanitare dhe thirrjeve për një armëpushim, Netanyahu dhe kabineti i sigurisë kanë ndërmarrë aktin ekstrem, atë të pushtimit të Gazës.
“Kabineti i Sigurisë ka miratuar propozimin e Kryeministrit për mposhtjen e Hamasit”, tha Netanyahu në një deklaratë të bërë gjatë orëve të para të mëngjesit.
“IDF (Forcat Mbrojtëse të Izraelit) do të përgatiten për marrjen e kontrollit të Qytetit të Gazës, duke siguruar njëkohësisht ofrimin e ndihmës humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimeve”, theksoi ai ndër të tjera.
Gjatë mbledhjes Kabineti i sigurisë miratoi pesë parime për t’i dhënë fund luftës në Gaza, duke përfshirë “kontrollin e sigurisë izraelite në Rripin e Gazës” dhe një administratë të re civile për të qeverisur enklavën.
Këto janë pesë parimet:
-Çarmatimi i Hamasit
-Kthimi i të gjithë pengjeve – të gjallëve dhe të vdekurve
-Demilitarizimi i Gazës
-Kontrolli i sigurisë izraelite në Gaza
-Krijimi i një administrate civile që nuk është as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez.
Përpara mbledhjes së kabinetit të sigurisë, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli nuk donte të qeveriste Gazën.
“Ne duam t’ia dorëzojmë atë forcave arabe që do ta qeverisin siç duhet pa na kërcënuar dhe duke iu dhënë banorëve të Gazës një jetë të mirë, kjo nuk është e mundur me Hamasin”, tha ai.
Nga ana tjetër ka shumë skeptikë lidhur me këtë plan të Benjamin Netanyahu. Një ish-negociator për Lindjen e Mesme tha se përpjekja e Izraelit për të pushtuar Qytetin e Gazës do t’i dëmtojë palestinezët dhe do t’i vërë pengjet izraelite në rrezik.
Aaron David Miller e quajti planin “fantastik” dhe “jashtëzakonisht të vështirë për t’u zbatuar”, duke paralajmëruar se “kostoja për pengjet dhe civilët palestinezë në Gaza do të jetë e jashtëzakonshme”.
“Mendoj se logjika pas operacionit izraelit është të pastrojë qytetin e Gazës, ku ka elementë të qelizave të Hamasit, të ndajë popullsinë nga luftëtarët dhe ta zhvendosë popullsinë në jug dhe më pas të nisë një rrethim… në një nga zonat qendrore. Nuk ka asnjë mënyrë që izraelitët ta bëjnë këtë, të veprojnë, pa shkaktuar lëndime serioze dhe vdekje për popullsinë palestineze”, tha ai.
Ndërkohë nga ana tjetër udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid, tha se miratimi i kabinetit të sigurisë për planet për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës ishte “një katastrofë që do të çojë në shumë katastrofa të tjera”.
Lapid tha në X se masa ishte “krejtësisht në kundërshtim me qëndrimin e ushtrisë dhe të establishmentit të mbrojtjes, pa marrë në konsideratë lodhjen dhe rraskapitjen e trupave luftarake”.
Ai shtoi se kundërshtari i tij politik ishte “tërhequr” në një veprim nga ministrat e ekstremit të djathtë Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich që do të “zgjaste shumë muaj, do të sillte vdekjen e pengjeve, vrasjen e shumë ushtarëve, do t’i kushtonte dhjetëra miliarda taksapaguesve të Izraelit dhe do të shkaktonte një kolaps diplomatik”.