
Shpesh shumë çifte nuk arrijnë të kenë dot fëmijë, edhe pse kryejnë të gjitha vizitat gjinekologjike. Ndodh që shkak për këtë problem të jenë edhe veshkat. Disa sëmundje ndikojnë në seksualitetin dhe fertilitetin e çifteve duke shkaktuar këto probleme shëndetësore.
Për të gjithë pacientët që kanë probleme me seksualitetin, fertilitetin dhe probleme të tjera të sferës seksuale, duhet të kryejnë menjëherë një vizitë te mjeku nefrolog. Studimet tregojnë se te pacientët me sëmundje të veshkave, 70% e meshkujve dhe 84% e femrave kanë probleme me sferën seksuale, ndikuar nga veshkat.
Mjekja nefrologe tregon lidhjen që kanë sëmundjet e veshkat me seksualitetin dhe fertilitetin, të cilat shpesh shakatohen edhe nga infeksionet më të thjeshta urinare.
“Si seksualiteti ashtu dhe fertiliteti janë dimensione të jashtëzakonshme të mirëqenies fizike dhe mendore të individit. Janë elementë kyç dhe të lidhur ngushtë me cilësinë e jetës. Impakti i tyre është i jashtëzakonshëm. Jo rrallëherë ndodh që individë që kanë disfunksion seksual apo probleme me fertilitetin, të zbulojnë se vuajnë nga sëmundje të veshkave dhe e kundërta gjithashtu është e vërtetë.
Sëmundjet e veshkave shkaktojnë dëmtime në sferën seksuale, pra në seksualitetin dhe fertilitetin e individit. Në këtë grup popullate, pacientët që vuajnë nga sëmundjet e veshkave, një përqindje shumë e lartë si te meshkujt ashtu edhe te femrat, kanë çrregullime në këtë aspekt të jetës”, shpjegoi mjekja nefrologe.
“Duhet bërë një kontroll, sepse ka disa raste kur një vezore polikistike mund të shoqërohet edhe me kiste renale. Kjo është lehtësisht e evidentueshme përmes një ekzaminimi të thjeshtë ekografik. Zonjat dhe zotërinjtë, para konceptimit, të gjithë individët që kanë histori apo vështirësi në shtatzëni, që kanë vite që tentojnë dhe nuk arrijnë, duhet të marrin një këshillim edhe te mjeku nefrolog.
Një trekëndësh ku është mjeku androlog, gjinekologu dhe nefrologu është i rëndësishëm. Patjetër, të gjithë pacientët që vuajnë nga sfera seksuale duhet të marrin një konsultë nga mjeku nefrolog”, apeloi nefrologia Prof. Asoc Marsida Duli.
Çrregullimet e ndryshme seksuale, ato urinare, fertiliteti apo çrregullimet menstruale mund të shkaktojnë pasoja më të renda në trupin e pacientit nëse nuk trajtohen në kohë. Shumë probleme të tilla mbahen të izoluara për shkak të stigmatizimit, por mjekët apelojnë për kryerjen e vizitave të diagnostikuese.
“Të gjithë qytetarëve, si gjinisë mashkullore ashtu edhe femërore: nëse keni çrregullime të disfunksionit seksual – që përfshin probleme me ejakulacionin, ereksionin apo kryerjen e duhur të aktivitetit seksual ose në rastin e zonjave, çrregullime të ciklit menstrual, si dhe për çiftet e reja që prej kohësh përpiqen për një shtatzëni të dëshiruar pa sukses, është shumë e rëndësishme të bëhet një kontroll te mjeku nefrolog.
Kjo sepse, përveç problemeve të zakonshme si infeksionet urogjenitale, mund të zbulohen edhe sëmundje më serioze, përfshirë dëmtime kronike të veshkave. E rëndësishme është që këto probleme të diagnostikohen në kohë, të trajtohen siç duhet dhe të parandalohet rreziku i impotencës dhe infertilitetit”, tha mjekja në A2cnn.
