Australia bllokon në aeroport tenistin serb, Novak Gjokoviç.
Mësohet se kampioni i botës ka qëndruar i bllokuar në aeroportin e Melburne për 8 orë me radhë.
Atij i është refuzuar hyrja për shkak të një problemi me vizën e tij, raporton BBC.
Lojtari mbërriti në Melburn të mërkurën ku autoritetet vunë re një gabim në aplikimin e tij.
Gjokoviç duhej të luante në Australian Open, pasi u përjashtua nga rregullat e vaksinimit.
Mësohet se tenistit i është thënë se do të deportohet, por avokatët e tij kanë thënë se do ta kundërshtojnë vendimin, raportojnë mediat australiane.
Ylli i tenisit ishte pyetur në një dhomë në aeroportin e Melburnit për orë të tëra, ndërsa statusi i tij për vizë dhe përjashtim po hetohej.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
Ai ka bërë të ditur se ka biseduar në telefon me tenistin Novak Gjokoviç, të cilin tha se e ka lajmëruar që autoritetet serbe po marrin të gjitha masat e duhura për t’ia mundësuar hyrjen në Australi.
“I thashë Novakut tonë se e gjithë Serbia është me të dhe se autoritetet tona po marrin të gjitha masat për të ndalur ngacmimet e tenistit më të mirë në botë në një kohë sa më të shkurtër. Në përputhje me të gjitha normat e së drejtës publike ndërkombëtare, Serbia do të luftojë për Novak Gjokoviçin, për drejtësinë dhe të vërtetën”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.
Gjokoviç nuk ka treguar kurrë nëse është i vaksinuar, por ai ka qenë kundërshtar i zëshëm ndaj vaksinimit të detyrueshëm kundër Covid-19.
Përveç përjashtimit mjekësor, problem për hyrjen e Gjokoviçit në Australi është edhe lloji i vizës që kërkon ekipi i tij, shkruajnë mediat serbe.