Liridon Latifi ka trazuar jo pak ambientin kuqeblu në ditët e fundit. Po bëhen rreth dy javë që ai nuk është pjesë e ekipit në stërvitje dhe në mungesë të një reagimi zyrtar nga klubi Vllaznia për situatën me sulmuesin e krahut, jo të pakta kanë qenë aludimet.
Në fakt, lojtari është nën kontratë me kuqeblutë deri në verën e vitit 2023, ndërkohë që “Panorama Sport” ka raportuar së fundmi se për shkak të një ftohjeje dhe problemi në mushkëri, Latifi është detyruar që të qëndrojë në regjim shtrati gjatë 10 ditëve të fundit, duke ndjekur një kurë specifike të dhënë nga mjekët.
Vetë 28-vjeçari nuk ka pranuar të flasë për gjendjen e tij, edhe pse është kontaktuar nga gazeta. Megjithatë, pas zërave të fundit për një dyshim se Latifi mund të ketë kaluar COVID-in në këtë periudhë, ka qenë vetë presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ai që ka sqaruar gjithçka.
“Së pari, rëndësi ka që Latifi aktualisht është në një gjendje të mirë. Lojtari nuk ka qenë me COVID, por ka pasur një virozë të shoqëruar me helmatisje. Pra, ka qenë i detyruar të qëndrojë pushim. Gjithsesi, nga bisedat e fundit që kemi pasur, Latifi do të udhëtojë të dielën drejt Austrisë dhe kësisoj do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje”, ka thënë dje kreu i klubit shkodran. Rikthimi i kosovarit është pa diskutim një lajm i mirë për trajnerin Josa.