Qeveria ka vendosur dyfishimin e honorarit me të cilin shpërblehen mësuesit që kontribuojnë në programin “Pas shkolle” duke e çuar në 1000 lekë për një orë nga 500 lekë që ishte e parashikuar.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro njoftoi sot pas mbledhjes së qeverisë se në vazhdim të ndryshimeve ligjore të muajit mars, ky vendim i ri i Këshillit të Ministrave mbështet zgjatjen e kohës së qëndrimit në shkollë që kombinon programin e detyrueshëm me aktivitetet në kuadër të programit “Pas Shkolle”.

Kumbaro tha se njëherësh është hapur lista e bashkëpunimit përtej mësuesve të shkollave, me mësues në pension, ekspertë e specialistë të arteve, zejeve, etj.

“Kjo pjesë e programit duhet të mbështetet financiarisht, kjo është arsyeja pse sot Këshilli i Ministrave vendosi që të dyfishojë honorarin me të cilin shpërblehen këto orë jashtë mësimit të detyruara në shifrën 10 mijë lekë të vjetra për orë, për 60 minuta. Ishte e parashikuar 5 dhe kemi mbërritur në 10”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “jo vetëm kaq, por ne hapin listën e bashkëpunëtorëve me mësuesit që janë brenda sistemit shkollor, të cilët pasi kanë kryer orët e detyrueshëm dhe ndoshta nuk kanë energjinë e duhur për të vazhduar edhe dy tre orë të tjera, por e hapim këtë listë, tashmë me këtë vendim për mësues që janë në pension, që janë aktiv dhe kanë dëshirë të jenë pjesë e këtij programi, për specialistë të ndryshëm të arteve, të muzikës për artizanë”.Kumbaro bëri një ftesë për të gjithë figurat e arsimit, artit, sportit që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë program.

GEAM Sh.p.k